MEMORIALI I SHPJEGUAR THJESHTË

Publikuar tek: pa-stres, më 10:47 14-08-2019 MEMORIALI I SHPJEGUAR THJESHTË

Nga Edi Oga ekskluzivisht për newsbomb.al *Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i këtij materiali

Xhepi dhe Dulla, shokë fëmijërie, vendosën të bëjnë një biznes së bashku. Ata morën me qira një dyqan dhe filluan punë. Punonin ditë-natë dhe në pak kohë, filluan t’ia shihnin hairin investimit dhe sakrificave. Pas disa viteve me fitime që vinin e rriteshin, ata e panë veten pronarë të një qendre të madhe tregëtare. Duke qenë tahmaqar nga natyra, Xhepi filloi të mendonte ditë e natë si e si ta spostonte ortakun dhe ta merrte të gjithë biznesin për veten e tij. Dinak siç ishte, u lidh me një avokat të poshtër, pagoi një kadi të korruptuar dhe e mori lokalin me gjygj. Përmbarimi e ngriti Dullën për leckash dhe nga turpi, ky vendosi të largohet nga qyteti. U largua, por u betua për çfarë kishte më të shtrenjtë se një ditë do ta merrte atë që i takonte dhe do ta shkatërronte të pabesin dhe mosmirnjohësin!

Xhepi u fuqizua edhe më tepër pasi e mori vetë qendrën tregëtare. U rriti rrogën shitësve dhe pastruesve që linin kokën për të. Në administratë mbajti vetëm servilët, ata që e shihnin shtrembër, i përzuri me shkelma bythëve.

Dulla nga ana tij, i mençur dhe punëtor siç ishte, bëri biznese të tjera dhe u bë tepër i pasur. Kuptohet që motiv i jetës së tij ishte shkatërrimi i Xhepit dhe për këtë punonte non-stop. Vitet e para, lufta e tyre ishte e fshehur, e padukshme, por dikur e kuptuan të gjithë që kjo punë nuk ishte e thjeshtë, ishte kthyer në çeshtje “koke”!

I famshëm dhe i pasur, Xhepi jepte dhe merrte në biznes edhe me dyqane dhe butiqe të vegjël. Interesi ia donte të hiqej sikur i kishte miq, ndaj jo rrallë i ftonte dyqanxhinjtë e vegjël për dreka e darka. Njërin prej tyre, Vinin, e veçonte nga të tjerët se ishte i lezetshëm dhe nuk i kthente kurrë fjalë. Vini kishte një dyqan me mallra të përzier ku nuk e merrte vesh i pari të dytin, megjithatë Vini ishte i kënaqur nga fitimet. Në fillim, Vini merrte furnizim edhe nga Xhepi, edhe nga Dulla, por që kur i pari akuzoi të dytin se po i bënte luftë, Xhepi e urdhëroi Vinin të mos merrte më furnizime tek Dulla. Pa kundërshtuar fare megjithëse humbiste shumë, Vini i vuri shkelmin produkteve të Dullës. Kështu vepruan të gjithë shitësit me pakicë që kishin miqësi me Xhepin. E gjitha kjo për të dëmtuar ekonomikisht Dullën.

I lodhur nga problemet me stafin, sidomos me administratën, shtoi këtu edhe presionin nga Dulla, Xhepit i duhej një zgjidhje përfundimtare. Dinak siç ishte organizoi një atentat kundër vetes së tij. Të gjithë do të mendonin se ishte dora e Dullës, kështu që atë do ta plasnin brenda dhe nuk do dilte më i gjallë prej andej.

Lajmi për atentatin ndaj Xhepit mori dhenë në pak minuta. Për fat, ai vetë shpëtoi, por nga shkëmbimi i zjarrit me “atentatorët”, mbetën të vdekur 25 fatkeqë. Disa roje private, shitës dhe punëtorë të thjeshtë. Aq u desh dhe Xhepi filloi aksionin. I kërkoi drejtësisë të arrestonin Dullën, si kokën e atentatit. Në pritje që kjo të ndodhë, filloi të godasë çdo person të lidhur me ose simpatizant të Dullës. Xhepi kishte inat të paparë.

Kur u mbushën tre vite nga atentati, Xhepi thirri miqtë për një darkë. Nga fundi, Vini u ngrit dhe deklaroi përpara të gjithëve se kishte vendosur që të vendoste një memorial përkujtimor në shtëpinë e tij, me emrat e të vrarëve në mbrojtje të Xhepit.

“Më fal, çfarë lidhje ka ky memorial me shtëpinë tonë?”, i thanë ata të shtëpisë.

“Sssshhhtttt, e di unë atë punë! Jeni bërë të gjithë kazanë! Mirë që më kanë mbetur akoma ca legena që më ndihmojnë. Jo se më duan, por duan të më marrin dyqanin!”

E shpjeguar thjesht, pak a shumë kjo është meseleja e memorialit tek parku i liqenit.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « RROFSHIN 'GOJËT E LIGA'!
»
Article Logic
Execution time: 0.056018829345703
array(1) { ["section"]=> string(37) "memoriali-i-shpjeguar-thjeshte-175290" }