Babai dhe nëna e ministrit Tahiri janë marrë në mbrojtje nga policia, pas shpërthimit që ka ndodhur në farmacinë e tyre, pranë Spitalit Nr.5 në Tiranë.
Mësohet njëkohësisht se një nga pistat e mundshme, që e ka bindur më shumë policinë për të vënë në mbrojtje Bashkim e Luiza Tahirin është edhe fakti se shtëpia e tyre ndodhet përballë stacionit të autobusit, ku u gjet sasia e tretë e eksplozivit, programuar për të shpërthyer. Fatmirësisht policia e gjeti në kohë duke bërë një shpërthim të kontrolluar dhe duke shmangur plagosjen e qytetarëve. Sasia e eksplozivit ishte e paktë, një shenjë frikësuese kjo se sa një atentat i dytë i mirëfilltë, në rast se do të rezultojë e vërtetë pista e policisë se shpërthimi i tretë ka lidhje me ministrin Tahiri dhe prindërit e tij.
Shpërthimi me eksploziv në farmaci, pronë e Bashkim Tahirit ndodhi herët në mëngjes dhe fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale. Farmacia ndodhet rruga “Kongresi I Manastrit”, pranë Spitalit Neurologjik në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama e quajti një akt të pastër terrorist ndaj ministrit Tahiri, kurse vetë ministri ka thirrur në një mbledhje urgjente prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe kreun e SHISH-it, Visho Ajazi Lika.