Pas lirimit të të pandehurit Arben Frroku për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj reagon edhe bashkëshortja e të ndjerit. Anila Lamaj ka hezituar të bëjë një koment që dje, e pyetur nga mediet, por sot ajo me një mesazh në profilin e saj në ‘’Facebook’’ përshkruan forcën dhe bindjen se edhe pas zhgënjimit, do vijë dita e saj e fitores.
“Kam kaluar momente që nuk mendoja se do mund t’i kaloja, kam jetuar dhimbje që po mendoja se po më vrisnin, kam përjetuar zhgënjime nga persona që nuk e prisja, pasi atyre vetëm të mira u kisha sjellë. Kam pyetje për të cilat nuk kam përgjigje, por unë jam këtu pasi jeta ime nuk ka përfunduar ende dhe herët a vonë do vijë dhe dita ime e fitores, sepse une nuk dorëzohem kurrë”, shkruan bashkëshortja e kryekomisarit të ndjerë.
Ditën e djeshme reagoi motra e kryekomisarit, Esmeralda, duke thënë se nuk e prisnin vendimin e gjykatës dhe se kjo nuk është drejtësi. “Ju e merrni me mend se si ndihemi ne pas këtij vendimi. Vendim që nuk e prisnim. Vetëm kjo që nuk është drejtësi’’, tha motra e kryekomisarit të vrarë Dritan Lamaj.