Miliardat “lumë”, kush e fiton garën mes ministrave…

Publikuar tek: ekonomi, më 13:25 16-09-2017 Miliardat “lumë”, kush e fiton garën mes ministrave…

Qeveria “Rama 2” erdhi me një listë të gjatë premtimesh. Javën e shkuar, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, ministrat shpalosën secili planin e tij për katër vite në një garë të hapur mes njëri-tjetrit se kush premton më shumë.

Disa u shprehën se plani për t’u realizuar në 2017-2020 është aq i madh sa një mandat nuk mjafton. Gjithsesi le të shohim premtimet e bëra nga disa prej ministrave të kabinetit Rama 2. Disa preferuan të ishin konkretë me shifra dhe nisma, të tjerë preferuan të përdornin teorinë përgjithësuese në nivelet më të larta të saj.

Financat dhe Ekonomia

Padyshim Ministria që drejton Arben Ahmetaj është shtylla e gjithë qeverisë Rama, pasi ajo mban edhe 24 fusha përgjegjësie në tërësi. Në fjalën e tij Ministri i Financave dhe Ekonomisë do të ndalej në disa aspekte, duke premtuar rritje të stabilitetit makroekonomik të vendit, ulje të borxhit publik, rritje të punësimit dhe prioritizim të sektorit energjetik, minerar, turizmit dhe argotizmit.

“Ne kemi parashikuar uljen e papunësisë në nivele njëshifrore të mbështetura në analiza sektoriale. Industrializimi i atij biznesit të vogël dhe të mesëm prodhues dhe eksportues përbën një nga prioritetet tona. Ne kemi menduar si masë fiskale uljen në 5% të tatimfitimit për kompanitë që prodhojnë në teknologji dhe do ta detajomë tek paketa fiskale. Ne synojmë rritje ekonomike mesatare në 5.5 dhe 6%”, – tha Ahmetaj. Dhe ministri e di mirë që një rritje ekonomike e këtij niveli ka nevojë për sektorin privat, por sigurisht dhe një dorë të mirë nga investimet publike që mesa duket do t’i kemi me shumicë. Sipas Ahmetajt publike të financuara nga buxheti i shtetit do të jenë 5.2% e PBB, ne 2018. “Do të përdorim partneritet publik-privat që ka treguar se ka sukses.

Për projekte me rëndësi të veçantë në ekonomi jemi gati për paketën 1 miliard dollar në bashkëpunim edhe me sektorin privat. Në 3 vjet mendohet se do të ketë 3.4 miliardë dollarë investime nga buxheti dhe nga kjo paketë. Një ekonomi që mund të prodhojnë plus 2 për qind nga e planifikuara rritje ekonomike”, – nënvizoi Ahmetaj. Ai iu kthye edhe një herë antiinformaltietit dhe deklaroi se fokus këtë herë do të jetë sipërmarrja e madhe. Beteja e Antiinformalitetit 3 zyrtarisht ka filluar ndërkohë që synohet një rritje e të ardhurave që në fund të mandatit të arrijnë 31.5% e PBB-së.

Infrastruktura dhe Energjia

Premtimi kyç për infrastrukturën duket të jetë ai i mbylljes së punëve të lëna përgjysmë dhe këtu hyjnë disa nga projektet e mëdha që janë nisur që në kohën e Berisha 2. Ministri Damian Gjiknuri do të bënte një përmbledhje të tyre.

“Ndër projektet kryesore të qeverisë do të jetë korridori Adriatiko – Jonian për të cilin do të fillojë menjëherë puna për studimin e fizibilitetit. Do të investohet në zgjerimin e aksit Fushë Krujë-Shkodër dhe në aksin Thumanë-Kashar/Rrogozhinë; by-pass-et Tepelenë, Lezhë dhe Tiranë. Do të investohet për dublimin e aksit Milot-Rrëshen ashtu sikurse të përfundohet by-pass-i i Fierit dhe ai i Vlorës. Do të vazhdojë faza intensive e ndërtimit për Rrugën e Lumit të Vlorës, do të ndërtohet aksi Kardhiq-Delvinë, si dhe do të përfundojë Unaza e plotë e Tiranës. Brenda 100 ditëshit të parë besoj se do të shpallim fituesit e garës për ndërtimin e Rrugës së Arbrit”, – tha Gjinkuri.

Ai shtoi edhe elemente të tjerë plotësuese që lidhen me transportin hekurudhor dhe të aeroporteve, por shumica e tyre tashmë janë lakuar edhe më herët. Më pas energjia do të merrte edhe vëmendjen e pjesës së dytë. “Në katër vitet e ardhshme do të investohen 170 milionë euro për forcimin e kapaciteteve gjeneruese dhe sigurinë e digave të administruara nga shoqëria KESH sh.a. Në transmetim do të realizohen 160 milionë euro investime ku ndër më kryesori është ai i ndërtimit të linjës së 400 kV mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Qeveria do të vijojë me procesin e ndarjes së funksioneve të shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë në OSHEE, duke krijuar dy shoqëri më vete, me synim përmirësimin e shërbimit e furnizimit për qytetarët dhe kanalizimin e investimeve në shpërndarje. Në këtë sektor pritet të realizohet një total investimesh prej rreth 520 milionë eurosh, pjesa dërrmuese e të cilave me fondet e vetë kompanisë.

Integrimi në Bashkimin Europian, jemi pa “busull”?

Kryeministri Rama vendosi që këtë herë në kabinet të mos kemi një Ministri të veçantë për Integrimin, por kjo të shkrihej duke u përfshirë nën Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme drejtuar nga Ditmir Bushati. Në fjalën e tij në Kuvend, ministri fillimisht e nisi me një “leksion” gjeopolitik, drejtuar opozitës, por nuk arriti të qartësonte ata që kishte në sallë me atë që e nënvizoi si politika e qeverisë.

“Politika jonë e jashtme është dhe do të jetë në shërbim të interesave kombëtare, që udhëhiqen nga vlera dhe parime të patjetërsueshme që përbëjnë shtratin e vijueshmërisë së politikës sonë. Nga një vullnet transformues, çka nënkupton objektiva të qarta, strategji përkatëse, për arritjen e tyre dhe nga përdorimi dhe krijimi i instrumenteve të veprimit diplomatik që i shndërrojnë objektivat tona në rezultate konkrete të matshme.

Fqinjësia e mirë, respekti, promovimi i paqes dhe tolerancës, mbrojtja e interesave të shqiptarëve kudo që ndodhen si dhe bashkëpunimi ekonomik. Këto janë vlerat e aksionit”, – tha Bushati. Ai nënvizoi se do të vazhdojë marrëdhënia e ngushtë me SHBA-në, si dhe vijimi i bashkëpunimit rajonal që vjen në kuadër të Procesit të Berlinit, por solli edhe një koncept të ri gjeografik, që e cilësoi si një dimension ku vendoset fati i Shqipërisë.

Politika jonë është orientuar nga promovimi i paqes, sigurisë dhe prosperitetit, mbi të gjitha në rajonin tonë.

Me fjalën rajon, për këtë qeveri kuptohet hapësira imediate që kufizohet brenda katërkëndëshit Itali, Austri, Greqi dhe Turqi, gjithçka që ndodh brenda këtij katërkëndëshi përbën një interes të drejtpërdrejtë për ne. Nuk është shtrirje gjeografike, po hapësirë ku artikulohen interesat kombëtare të Shqipërisë. Të kyçur në Ballkan dhe të hapur në Mesdhe”, – tha ministri. Në gjithë fjalën e tij pak u dëgjua për integrimin në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Arsimi nga reforma në reformë, por rritje pagash

Jo pa qëllim, një tjetër fushë që duhet parë me kujdes është ajo që lidhet me Arsimin. Lindita Nikolla ishte zgjedhja e Ramës edhe për këtë mandat të dytë në krye të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Në mandatin e parë ishte po kjo ministri që hasi në një valë të gjerë kundërshtimi për atë që u quajt si reforma më domethënëse, por duket se ajo reformë është lënë pas për të vijuar rrugën, tani vjen një tjetër reformë. Nikolla premtoi se do të ulë klasat kolektive, me 30%.

“Brenda 300 ditëve të para në çdo shkollë me klasa kolektive, të kemi mësimin dixhital. Ne do të dyfishojmë numrin e mësuesve ndihmës për fëmijët me aftësi ndryshe. Brenda 100 ditëve, Këshilli Kombëtar i Prindërve do të jetë aty për të diskutuar për cilësi në arsim. Do të pilotojmë me Ministrinë e Kulturës programin me art e kulturë. Do të synojmë zgjatjen e kohës së qëndrimit në shkollë për të përgatitur edhe detyrat. Me Ministrinë e Bujqësisë do të pilotojmë një projekt për ushqim të shëndetshëm në shkolla në 100 ditët e parë”, – tha Nikolla. Ajo nënvizoi se me mësuesit do të bashkëfirmoset një plan me rreth 50 masa që do të zbatohen në 300 ditët e para. Po kështu do të ketë një paketë mbështetjeje për mësuesit e kualifikuar që do të pranojnë të punojnë në shkolla me rezultate të ulëta. Pagat për mësuesit do të rriten deri në 40% në mandatin e dytë.

Asgjë e re nga Turizmi

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, do të ndalej në atë që është kthyer në refren vit pas viti për sektorin. Ai përsëriti të gjithë ato premtime që i dëgjuam përgjatë gjithë mandatit të parë. Duke nisur nga: të shtrijmë turizmin përgjatë gjithë vitit e deri tek vendosja e yjeve. “Gjatë pjesës së parë të këtij mandati do të studiojmë mundësinë e dhënies së iniciativave ligjore lehtësuese më të mira për turizmin. PPP do të jetë një mundësi e artë për infrastrukturën e turizmit. Që në sezonin e parë intensiv të turizmit do të vihet në jetë një strategji e re bashkë me institucione të tjera si Ministria e Brendshme apo e Shëndetësisë për shtrimin e qendrave të ndihmës së shpejtë. Jo vetëm për siguri, por dhe cilësi jete në këto zona. Masat e marra këto vite kanë lëvizur në këtë drejtim”, – tha Klosi.

Ai bëri edhe një paraqitje të shifrave inkurajuese, sipas tij, që reflekton sektori në rritje i numrit të vizitorëve dhe flukset monetare, por duket se ra sërish në përsëritje kur erdhi puna tek rregullimi ligjor, paketa e plotë, e cila ka përfunduar dhe ka mbetur për t’u zbatuar. Po rendis disa nga hapat afatshkurta për të përmirësuar. Reformim të sistemit të planifikimit të turizmit, agjencitë dhe institucionet do të ristrukturohen. Nuk kemi ende turizëm të matshëm, pasi nuk kemi strategji të vërteta. Regjistrimi i strukturave do të jetë një tjetër aspekt, si një punë në luftën edhe kundër informalitetit.

Do të ndryshojmë legjislacionin dhe përmirësimin e të dhënave. Krijimi i një bazë të re të dhënash për strukturat akomoduese dhe për të bërë paralelisht dhe verifikim për yjet që kanë. Nuk mund të jetë e tolerueshme dhe as t’i shërbejë vetëvendosja e më shumë yjeve për çmime më të larta. Përcaktimi i yjeve dhe përcaktimi i referencave të qarta do të vendosin në treg rregull. Përmes një kompanie që do të zgjidhet, të jenë ata administratorët që përcaktojnë yjet”, – tha Klosi.

Ministria e Brendshme nën ethet e Vetting-ut

Nëse ka një fjalë që ka qenë në përdorim të madh vitin e shkuar dhe këtë vit ka qenë “Vetting”. Është bërë pjesë e administratës, biznesit, qeverisë, sistemit gjyqësor e sa e sa palëve. Por duket se ethet e Vetting-ut do të kalojnë edhe nga Ministria e Brendshme. Kreu i saj, Fatmir Xhafaj, solli në vëmendje disa nga prioritetet që do të ketë institucioni nën drejtimin e tij, ku kanabisi dhe Vetting-u zënë pjesë të konsiderueshme. Kështu, së pari, kemi angazhim të policisë në proces, si palë ndihmëse.

“Reforma në Drejtësi ka sjellë dhe do të sjellë ndryshime thelbësore edhe në drejtësinë penale. Tashmë është momenti për t’i dhënë jetë këtij procesi në praktikë, përmes mbështetjes maksimale të ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë Speciale, si dhe ndërtimit të një bashkëpunimi shumë më efikas me to, për të pasur rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Strukturat e Policisë së Shtetit për hetimin e krimit do të duhet të përgatiten për të dhënë të gjithë kontributin e tyre ligjor mbështetës në këtë aspekt, përfshirë edhe hapjen e disa çështjeve sensitive në vite për opinionin publik të lidhur me disa vrasje të bujshme ende të pazbuluara”, – tha Xhafaj. Nga ana tjetër, policia do t’i nënshtrohet Vetting-ut. “Implikimi i zyrtarëve të lartë në afera korruptive, cenimi i interesave të shtetit apo edhe implikimi e disa politikanëve me krimin e organizuar.

Gjithë sa përmenda më sipër nuk do të bëhet e mundur pa institucione të forta dhe të qëndrueshme. Me njerëz me integritet moral dhe profesional dhe etik, të cilët duhet të shërbejnë në Policinë e Shtetit” theksoi ai.

Këto janë disa nga premtimet e ministrave të Rama 2 që këtë herë vërtet mund të jenë pak në numër, duke ndjekur sloganin “Më shumë me më pak”, por duket se për premtimet është tejkaluar edhe fjala “shumë”.

Nertila Maho/ Monitor

Personazhi i vitit 2019

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.020705938339233
array(1) { ["section"]=> string(54) "miliardat-lume-kush-e-fiton-garen-mes-ministrave-92582" }