Ministri gjerman i Shtetit, Roth: Shqipëria model i bashkëpunimit të etnive dhe besimeve të ndryshme

Publikuar tek: aktualitet, më 17:24 09-04-2015 Ministri gjerman i Shtetit, Roth: Shqipëria model i bashkëpunimit të etnive dhe besimeve të ndryshme

Anëtari i Parlamentit, Michael Roth (SPD) njëkohësiht Ministër i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme gjermane, ka deklaruar se Shqipëria përbën një shembull në rajon për ndërveprimin e etnive dhe besimeve fetare të ndryshme. Roth gjatë një interviste për Deutsche Welle është shprehur gjithashtu se pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE sjell avantazhe për të dyja palët.

DW: Komisioneri i parë i BE-së për Zgjerimin, Günter Verheugen, në 2004 pati mundësinë të pranojë dhjetë vende si anëtarë të rinj, pasardhësit e tij mirëpritën të paktën tre shtete të reja anëtare, komisioneri aktual për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, ka thënë në seancën e tij të parë, se në pesë vitet e ardhshme nuk do të pranohen vende të reja. A mund të flitet akoma për një perspektivë të qartë anëtarësimi për vendet e Ballkanit Perëndimor?

Michael Roth: Perspektiva e qartë e pranimit, pra oferta jonë për anëtarësim në BE, mbetet po e njëjta. Por nuk është vetëm në dorë të Bashkimit Europian. Në një masë të konsiderueshme është edhe në dorë të drejtuesve politikë dhe ekonomikë, si dhe të shoqërive civile në vendet kandidate, nëse janë të gatshme për t'i plotësuar kriteret përkatëse, që janë parakusht për pranimin.

DW: Por kur në Bruksel thuhet fare qartë, se në pesë vitet e ardhshme nuk pranohet asnjë vend, në disa vende të Ballkanit përhapet frika e "një kandidature të përhershme". A mund ta kuptoni këtë frikë?

Michael Roth: Unë dua t'i inkurajoj shtetet e Ballkanit Perëndimor, që duan të bëjnë pjesë në Bashkimin Evropian. Nuk ka diskutim: rruga, që kanë përpara tyre është pa dyshim e vështirë, por ia vlen. Ne nuk jemi vetëm një bashkësi ekonomike, por në rradhë të parë një bashkësi vlerash. Duke patsr parasysh përvojat e vështira në bisedimet e pranimit në dekadat e mëparshme në proceset e afrimit me BE, ne fokusohemi fort në çështjet e shtetit ligjor, demokracisë, bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, në pavarësinë e mediave, por edhe në zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale. Dhe kështu duhet bërë. Në fillim duhen zgjidhur çështjet më të vështira. Nga kjo mund të krijohen pakënaqësi, sepse nuk ka përparime thelbësore. Për këtë kam mirëkuptim, por u bëj thirrje të gjithë partnerëve në bisedime, nëse rruga që në fillim pastrohet nga gurët e mëdhenj e të rëndë, atëherë rruga në drejtim të BE, por edhe për t'u bërë anëtar i BE-së është në fund të fundit më e lehtë.

DW: Çfarë mendoni për vlerësimin se Ballkani Perëndimor edhe për shkak të orientimit të ri të politikës së jashtme ruse është një krah i zbuluar i BE-së?

Michael Roth: Vendimtare është të mos i lemë vetëm qeveritë, por edhe shoqëritë civile me orientim nga Evropa. Gjermania përpiqet të kontribuojë, që afrimi me BE-në të marrë një dinamikë të re. Dua të kujtoj konferencën e Berlinit për Ballkanin Perëndimor në gusht 2014, që vazhdon sivjet në Vjenë. Iniciativën gjermano-britanike, që është bërë ndërkohë politikë e BE, për të rigjallëruar më në fund procesin në Bosnjë-Hercegovinë. Ka një sërë projektesh bilaterale. Ajo, që unë do të dëshiroja, do të ishte që Bashkimi Evropian të ishte më i dukshëm në këto vende.

DW: Kohët e fundit mediat gjermane kanë informuar shpesh për një rrezik terrorist nga Evropa Juglindore. Ka prova për luftëtarë nga Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia dhe Kosova, që luftojnë për IS. Si e vlerësoni këtë rrezik?

Michael Roth: Kjo është po aq shqetësuese, siç janë edhe ndoshta 3000 të ashtuquajturit "luftëtarë të huaj" nga Gjermania, që bëjnë gjëma për këtë organizatë terroriste. Ballkani Perëndimor është një rajon multifetar, multietnik dhe multikulturor me një islam evropian me karakter laik dhe duhet të mbetet i tillë. Shtetet dhe shoqëritë e tyre duhet të vazhdojnë të punojnë, që etnitë dhe fetë e ndryshme të ndërveprojnë me njëri-tjetrin në mënyrë paqësore e me respekt dhe të jetojnë së bashku. Shtetet si Shqipëria mund të shërbejnë këtu si model. Përndryshe çështja e "luftëtarë të huaj" është një problem për të gjithë BE-në dhe bën të qartë edhe një herë se siguria jonë rritet, nëse mund t'i hapim Ballkanit Perëndimor një perspektivë të qartë.

DW: Cilat janë shanset për liberalizimin e vizave për kosovarët në zonën Shengen?

Michael Roth: Kjo është një çështje e rëndësishme për popullatën atje. Eksodi masiv nga Kosova na preokupon shumë. Ne duhet të kontribuojmë, që gjendja sociale dhe ekonomike, veçanërisht e të rinjve në Kosovë të stabilizohet. Për lehtësimin e vizave duhet të plotësohen disa kritere. Komisioni Evropian po zhvillon aktualisht bisedime edhe me Turqinë dhe vende të tjera. Unë shpresoj që së shpejti do të bëjmë një përparim edhe me Kosovën. Por kjo varet nga plotësimi i kërkesave përkatëse.

DW: E parë nga gjendja shumë e keqe ekonomike, për njerëzit në Kosovë njohja e plotë e pavarësisë së shtetit është një çështje shumë e rëndësishme. Janë pesë shtete të BE-së, që nuk e kanë njohur akoma Kosovën. Dhe në Prishtinë presin edhe mbështetje nga Berlini në këtë çështje. Si i shikoni shanset, që të ndryshojë diçka?

Michael Roth: Të gjitha proceset e pranimit bazohen në parimin e unanimitetit. Në parimin e unanimitetit nuk ka për të ndryshuar asgjë. Kjo e bën procesin mjaft të vështirë. Nuk duhen humbur shpresat, por me këmbëngulje të bëhet punë bindëse. Njohja e Kosovës vazhdon të jetë një çështje shumë e ndjeshme në vende të caktuara.

DW: Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale mes Gjermanisë dhe Serbisë dhe bashkëpunimin me zotin Vuçiç? Sepse ka ende dallime të qarta rreth Kosovës.

Michael Roth: Ne bashkëpunojmë mirë me qeverinë aktuale serbe, por ne presim angazhime të qarta ndaj kodit evropian të vlerave dhe një zbatim ofensiv të kushteve për anëtarësim, për shembull forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit.

DW: Ju flisni për pritje të qarta të qeverisë gjermane, a përfshihet këtu edhe njohja e plotë të Kosovës nga ana e qeverisë serbe?

Michael Roth: Ne kemi marrëveshjen e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo duhet të plotësohet. Ne nuk e bëjmë këtë për t'i munduar serbët, por sepse i gjithë BE-ja përfiton nga marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Le të marrim shembullin e Qipros. Me pranimin e Qipros ne kemi sjellë në BE një konflikt rajonal, që është ende i pazgjidhur. Kjo e rëndon Bashkimin Evropian në kapacitetin e tij për të vepruar. Prandaj çdo konflikt rajonal, që zgjidhet para anëtarësimit, është një vlerë më tepër për rajonin, një vlerë më tepër për gjithë BE-në dhe në shembullin konkret, një vlerë më shumë për Kosovën dhe Serbinë.

DW: A do të ishte e pranueshme për BE-në dhe Gjermaninë një Serbi neutrale dhe në miqësi të hapur me Rusinë?

Michael Roth: Kush është në BE, nuk është neutral. Ne kemi një qëndrim të përbashkët dhe këtu bën pjesë gatishmëria për t'u marrë vesh për një qëndrim të përbashkët në lidhje me Rusinë. Kjo nuk do të thotë që të ndërpriten marrëdhëniet e veçanta historike, kulturore, ekonomike dhe politike me një shtet tjetër, si për shembull me Rusinë. Edhe ne nuk i ngrijmë marrëdhëniet tona, pavarësisht nga sanksionet. Përkundrazi ne duam të bisedojmë me Rusinë dhe udhëheqjen ruse. Por kurrë nuk duhet të krijohet përshtypja,sikur vihet Rusia dhe BE-ja përballë njëri-tjetrit.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Morinë, një efektiv policie dhe 3 shtetas arrestohen për kontrabandë
Aksioni në Vlorë, sekuestrohen dhjetëra motorrë pa dokumenta »
Article Logic
Execution time: 0.014443159103394
array(1) { ["section"]=> string(103) "ministri-gjerman-i-shtetit-roth-shqiperia-model-i-bashkepunimit-te-etnive-dhe-besimeve-te-ndryshme-8287" }