Ministrja Ekonomi: Bizneset të mbrojnë pronësinë e tyre industriale

Publikuar tek: ekonomi, më 16:16 06-02-2017 Ministrja Ekonomi: Bizneset të mbrojnë pronësinë e tyre industriale

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, zhvilloi një vizitë në një prej kompanive shqiptare që prodhojnë produkte "Made in Albania", jo vetëm për tregun vendas, por dhe për eksport. Ministrja u ndal tek kompania Beba Cosmetics, e cila nga 56 produkte që prodhon, 53 prej tyre i ka të regjistruara dhe të mbrojtura me markë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Patentave dhe Markave, institucion në varësi të MZHETTS.

 Ministrja Ekonomi teksa përgëzoi përfaqësuesit e kësaj kompanie për seriozitetin dhe për regjistrimin e pronësisë së tyre industriale, theksoi se bizneset duhet të ndërgjegjësohen për të ndjekur të njëjtin model, që të mbrojnë pronën e vet industriale, pasi kështu janë dhe më konkurrues në treg. Ministrja u shpreh se produktet ‘Made in Albania’ janë një faktor shumë i rëndësishëm për ekonominë e Shqipërisë. “Pronësia industriale është një mjet komunikimi në treg mbi cilësinë dhe origjinën e produkteve që na ofrohen. Ajo përbën garanci për konsumatorin, por edhe reputacion për ju si sipërmarrës.  Është fakt i njohur që sistemi i pronësisë industriale  është motor nxitës i zhvillimeve të tregut”, tha Ministrja Ekonomi. Ajo shtoi se për shumë kompani vlera e aseteve jo materiale, siç janë patentat mbi shpikjet, markat tregtare apo disenjot industriale e tejkalon dukshëm vlerën e aseteve fizike, ndaj është i domosdoshëm regjistrimi dhe mbrojtja e tyre.

 Përfaqësuesit e kompanisë u shprehën shumë të kënaqur nga bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave dhe Markave, për regjistrimin e produkteve.

 Kjo kompani eksporton në disa vende të rajonit, ku nevojitet që gjithashtu këto marka të regjistrohen dhe ne vendet respektive. Ministrja Ekonomi u shpreh se është për të ardhur keq që ka një numër të vogël markash të regjistruara jashtë territorit të Shqipërisë,  ndaj kërkohet një punë më e madhe për të ndërgjegjësuar kompanitë shqiptare të regjistrojnë markat e tyre në vendet ku eksportojnë duke synuar mbrojtjen e produkteve.

 Ajo shtoi se Qeveria shqiptare, i ka përshtatur më së miri kriteret, duke aderuar në marrëveshjet ndërkombetare të kësaj fushe, për t’i dhënë mundësinë sipërmarrëseve shqiptare, të kërkojnë të drejtat e mbrojtjes edhe në vendet partnere, ku kanë të shtrirë aktivitetin e tyre.

 Kompania në fjalë është një kompani shqiptare, e cila që prej vitit 1993 ka arritur të prodhojë  një gamë të gjerë produktesh ku përfshihen: grupi i kremrave per bebe, locioneve, pudrave, artikujt për mbrojtjen e flokëve, detergjent të ndryshëm pastrimi si edhe artikuj të sezonit veror për mbrojtje të lëkurës. Sot veprimtaria e saj është e shtrirë në një territor të gjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.020247936248779
array(1) { ["section"]=> string(72) "ministrja-ekonomi-bizneset-te-mbrojne-pronesine-e-tyre-industriale-67886" }