Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka njoftuar pak më parë se nga 1 dhjetori 2020 do të aplikohet mësimi i kombinuar, pra edhe fizik në klasa edhe online, si masë për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Shkollat pas një udhëzuesi të hartuar nga Ministria, në varësi të gjendjes së shkaktuar nga Covid-19 do të kenë fleksibilitet për të vendosur dhe vetë për zhvillimin e mësimit. Klasat nga 1-5 do të zhvillojnë mësim fizik në shkollë, ashtu dhe për klasën e 12-të.
Kurse klasat e tjera do të alternohen.
"Klasat e arsimit fillor, nga e para në të pestën, dhe klasa e 12-të (pra maturantët) do të zhvillojnë normalisht procesin mësimor në mjediset fizike të shkollës - njësoj siç kanë vepruar deri më tani me SKENARIN 1 të Udhëzuesit për fillimin e vitit shkollor 2020 – 2021;
Ndërsa klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin në këtë mënyrë:
- Në javën tek, pra javën e parë dhe të tretë të muajit: 2 ditët e para të javës në mjediset e shkollës, dhe 3 ditët e tjera të javës online.
- Në javën çift, pra në javën e dytë dhe të katërt, ditët këmbehen: pra 2 ditët e para të javës nxënësit janë online dhe 3 ditët e tjera të javës me prezencë fizike në shkollë.
Në varësi të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në rast se shkollat kanë situata të rënduara në stafet mësimore apo tek nxënësit, me urdhër të MASR, mund të aplikohet skenari kur vetëm klasat fillore (nga 1 tek e 5) dhe maturantët zhvillojnë mësimin në klasë. Ndërsa klasat e tjera bëhen online.
Dhe në raste më të rënduara, vetëm klasa 1 dhe klasa 12-të në mjediset fizike të shkollës, ndërsa të gjitha klasat e tjera do të zhvillojnë mësimin online", tha ndër të tjera ministrja Kushi.