Miqtë e mi të infektivit, ju jeni të dërguarit

Publikuar tek: fcb-bomb, më 16:40 16-03-2020 Miqtë e mi të infektivit, ju jeni të dërguarit

Nga Manjola Arizaj Zeka

Prej ditësh mendja më shkon te ATA, miqtë dhe të njohurit e mi në Spitalin Infektiv. Shkëmbimet e mesazheve apo telefonatat nuk mund të zëvëndësojnë dot bisedat e munguara. As duartrokitjet a shkrimet mbështetëse, nuk është se më japin 100 përqind pozitivitet për çfarë po vjen. I njoh dhe i kam ndjekur prej 22 vitesh, kur këmba më shkeli për herë të parë në atë spital si gazetare. 

Do desha shumë që të isha sërish sot në terren, pranë tyre, për të parë nga afër përkushtimin  e dhjetëfishuar në këtë betejë të re. I admiroj për punën e tyre që në kohën e doktor Kristo Panos, siç thuhet ndonjëherë, mjekut të paharruar infeksionist. Ndoshta shumë i kanë parë vetëm këto dite, i kanë mbështetur e i kanë uruar në ditën e qametit koronavirus. Por ata kanë qenë aty, me duart në gjak e në trupin e të sëmureve, duke frymuar në të njëjten hapësirë të ngushtë me persona të sëmurë me SIDA, me malarje, me poliemelit, me salmonele, me tifo, me infeksione nga më të frikshmet, që ne nuk i dime. Sepse ata kanë pasur përherë edhe empatinë edhe dashurinë për të mos na shqetesuar pertej të mundshmes. Janë sa të ndryshëm në tipa, po aq edhe të njëjtë në përkushtim e aftësi: Dr. Pellumb Pipero, Shkelqim Kurti, Arjan Harxhi, Najada Çomo, Dhimiter Kraja, Tritan Kalo, Elmaz Eltari, etj ( ndjesë për ndonjë emër të harruar) të mbështetur nga një staf po aq i përkushtuar infermierësh e laborantësh, janë muri që na ndan ne me COVID-19. Janë pak sigurisht. Dhe për këtë jam duke menduar këto ditë. Janë ditët kur bëhen foto të gëzuara, janë ditet e fjaleve të fuqishme, e dhënies së sigurisë.

Sepse me sa duket shpërthimi nuk ka ndodhur, ashtu si Pipero, që e shoh për herë të parë kaq të merakosur, po e paralajmeron me delikatese. Ndodhi në Kine. Ndodhi dhe në Itali. Ndodhi dhe në Iran. Po ndodh dhe në vende të tjera. Do të ndodhe edhe këtu tek ne. Ai shpërthimi i virusit frikshëm, kur drejt këtyre mjekëve fantastike do të dynden dhjetëra e qindra të sëmure dhe nuk do të ketë më kohë për foto. As për t’u ndërruar. As për të shkuar në tualet. Nuk e di. Unë uroj me gjithë zemër që ata të dalin si përherë, më të fortë nga kjo betejë, më të ditur, më të përgatitur. Dhe ne të dalim më mirënjohës ndaj tyre, minimumi më mirënjohës. Uroj që shqiptarët të mësojnë sadopak nga Italia, duke mos u treguar edhe aq “trima”, sepse në këtë mënyrë u’a lehtësojnë punën edhe këtyre njerëzve. Siç e shihni, ata janë engjëjt tanë sot. Zoti thonë vepron në mënyra të mistershme. Prej ditësh nuk falet me kush në Kishë e Xhami, por ama jemi më mijëra ne që u falemi mjekëve tanë. E di që do të përballen me një betejë sfilitëse. Shpresoj t’i takoj shpejt, sa me shpejt, pa maska.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0098340511322021
array(1) { ["section"]=> string(52) "miqte-e-mi-te-infektivit-ju-jeni-te-derguarit-198857" }