Pas bllokimit të mishit që importohej nga Brazili, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mori mostrat për të bërë analizat e këtij produkti. Mostrat janë çuar në laboratorët e AKU-së, por edhe në laboratorin e referencës pranë ISUV.
Sipas AKU-t, nga përgjigjet e analizave të ardhura nga laboratorët e tyre rezulton se parametrat e mishit që ka ardhur nga Brazili, janë brenda normave të lejuara nga ligji.
“Meqenëse kanë dalë vetëm përgjigjet e analizave nga laboratorët e AKU-së, produkti do të vijojë të qëndrojë i bllokuar deri në daljen e analizave edhe nga laboratori i referencës pranë ISUV”, thuhet në njoftimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.