Miss Shqipëria 2020, flet Alda Bida, 'truri' që organizoi eventin në kushte pandemie: Gati marrëzi, por shumë dashuri e pasion

Publikuar tek: kulture-art, më 16:33 28-07-2020 Miss Shqipëria 2020, flet Alda Bida, 'truri' që organizoi eventin në kushte pandemie: Gati marrëzi, por shumë dashuri e pasion Miss Shqipëria 2020

Shumë aktivitete artistike e kulturore u anuluan në këtë kohë pandemie, por jo eventi Miss Shqipëria 2020, i cili u zhvillua disa ditë më parë në qytetin e Lushnjës, në kuadër të 100-vjetorit të Kongresit.

Në një intervistë ekskluzive për newsbomb.al, organizatorja Alda Bida thotë se nuk ka qenë e lehtë, madje gati marrëzi, por dashuria dhe pasioni për t'i dhuruar njerëzve nje tjetër kujtesë ishte shtysa më e madhe.

Si në çdo organizim në kushte pandemie, u zbatua çdo protokoll sigurie. Nuk mund të ndodhte ndryshe, duke marrë shkas edhe nga motoja e eventit, "Besojini ëndrrave, dashurisë dhe kujdesuni për veten…..jeta vazhdon!".

Intervista e plotë me organizatoren Alda Bida

1-Si ia dolët ta realizonit spektaklin në kushtet e pandemisë COVID-19?

Dukej sikur stafi i Deliart, i Bashkisë së Lushnjës dhe konkurrentët ishin një familje e vetme për gjatë gjithë ditëve të zhvillimit të eventit. Në të gjitha rastet matja e temperaturës, maskat dhe distancimi social ishin ritual i zakonshëm. Ne shqiptarët kemi shprehjen “Ruaju që të të Ruaj!” Moto e Miss Shqipëria 2020 ishte “Besojini ëndrrave, dashurisë dhe kujdesuni për veten…..jeta vazhdon!” Për gati më shumë se një muaj vajzat e përzgjedhura u angazhuan me provat, xhirime e photoshooting.

Për shkak të pandemisë, duartrokitjet ishin të regjistruara…komunikimi në distancë…

Publiku i kufizuar u ul në karrige me një metër e 20 cm distancë, në hyrje iu mat temperatura dhe u dezinfektuan. Dashuria për atë çfarë duam, mbështetja e jashtëzakonshme e Bashkisë së Qytetit të Kongresit, kujdesi për njëri tjetrin... Ja kështu ia dolëm, bashkë, por duke ndjekur protokollin e pandemisë.

2-Gjithmonë kemi parë që Miss Shqipëria është zhvilluar në zona turistike. Pse u zgjodh Lushnja këtë vit, çfarë ofron ky qytet?

Ideatori dhe protagonist i këtij eventi Petri Bozo, vendosi ta zhvillonte spektaklin “Miss Shqipëria”, këtë vit në qytetin e të parëve të tij, si një homazh për të gjithë banorët e qytetit të Kongresit e të zonave përreth, për patriotët që i dhuruan kombit shqiptar pa kushte veten e tyre….Për të thënë gojëplot se rrënjët janë shenjtërimi i një kombi, por edhe i çdo individi. Mos harro nga vjen që të kuptosh ku dëshiron të shkosh, beso në ëndrra e hape shpirtin, dhuro dashuri!

Ky ishte viti i 100-Vjetorit të Kongresit të Lushnjës dhe kjo mjaftonte që të merrnim vendimin për ta zhvilluar eventin në këtë vend me vlerë për historinë e shtetformimit shqiptar.

Është më se e kuptueshme që mikpritësit në këtë rast Bashkia e Qytetit të na udhëhiqte për të na treguar më shumë për trashëgimninë kulturore të zonave ku udhëtuan, u xhiruan e u fotografuan konkurentet. Pak kilometra nga qendra e qytetit është një liqen artificial ndër më të mëdhenjtë në Ballkan ku kombinohet gjelbërimi dhe mundësia për të kaluar kohë cilësore...për të mos lënë pa përmendur, kishat, teqenë, urën e shekullit te VIII...Manastirin e Ardenicës, pyjet...Ishte një ftesë per ta vizituar këtë zonë që është zemra e Myzeqesë. Dashuria njerëzore dhe mikpritja ishin amalgama më e mirë, që na garantoi suksesin e eventit.

3-Çfarë mund të veçoni si risi në spektaklin e sivjetshëm?

Në një vështrim të përgjithshëm duket se nuk ndryshon. Ndaj ne kemi zgjedhur që të kemi gjithnjë një lokacion të ri. Çdo vit gjendet kauza, moto e eventit dhe këtë vit ishte "Dashuria është ilaçi më i mirë, kujdesu për veten dhe të tjerët! Jeta vazhdon!"

Koncepti koreografik i ruajtjes së distancës, perceptimi muzikor ishin gjetje që përcollën emocione duke i parë të kombinuara me veshjet që kapërcenin natyrshëm në sfida perceptimi.

Skenografia e ndërtuar në këmbët e Shtëpisë së Kongresit duke i dhënë një dimension virtual e duke bërë pjesë çdo banesë dhe ballkon nga ku banorët ndiqnin eventin.

Mund të vazhdoj gjatë...por vetë kushtet e një Pandemie janë ato që do ta bëjnë Miss Shqipëria 2020 të mos harrohet...e të kujtohet si një e veçantë sfiduese e Deliart dhe Bashkisë së këtij qyteti ku një herë në 100 vjet shkrep vërtet DRITA E HISTORISË.

4-Për ty si organizatore cila ishte sfida më e madhe me të cilën u përballe në këtë rrugëtim?

Nga fillimi ishte një sfidë për ne (Petrin, mua, stafin)...Sfidë dashurie e kujdesi. Përcjellje mesazhi të vazhdueshëm...Kujdesu për veten! Ruaj distancën. Mbaje maskën në ambiente të mbyllura! Sfidë ishte edhe momenti kur Petri dhe Z.Fatos Tushe, Kryetari i Bashkisë së Lushnjës morën vendimin që edhe pse në kohë pandemie të zhvillohej Miss Shqipëria 2020 po në kushte pandemie e duke respektuar protokollet. (gati marrëzi, por shumë dashuri e pasion për t'iu dhuruar të gjithëve një tjetër kujtesë).

5-Pse i duhet Shqipërisë një miss?

Në 22 vjet të zhvillimit të Miss Shqipërisë, Deliart ka përmbushur e do të vazhdojë ta bëjë, misionin e promovimit të turizmit, historisë e njohjes së vendit tonë që pavarësisht sipërfaqes ruan thellësinë e vlerave autentike e të pa kontestueshme...Një Miss...një kala...një histori...një legjendë! Kështu e nisëm.

Sot është trend që shumë e bëjnë...Ne vazhdojmë ta ndjejmë si mision.

Miss Shqipëria nuk është thjesht një spektakël, por një shkollë...një traditë dhe Shqipërisë e shqiptarëve u ka dhuruar shpirt të atyre që e bëjnë...i ka shpënë shqiptarët atje ku nuk kanë mundur t'i shpien këmbët apo rrotat e makinës. Vlerësimin e bën publiku dhe vajzat e bukura e të mençura që çdo vit duan të jenë pjesë e Miss Shqipërisë.

Miss Shqipëria është hapësira e vlerë ku dukjes i bashkohet edhe inteligjenca e ku koha merr vlera cilësore!

Për të mos filluar të tregojmë për përfaqësimet dinjitoze në kompeticionet ndërkombëtare...ku çdo vajzë përcjell një copëz Shqipëri...(Ambasadore pa financim nga shteti mendoj).

6-Çfarë mund të thuash si gjënë më të rëndësishme që arriti ky spektakël përveç kurorëzimit të së bukurës?

Prej vitesh, atje ku ka një kujtesë historike, një vlerë arkitekturore për t’u rizgjuar e rikujtuar është Miss Shqipëria që udhëton çdo vit për të bërë bashkë bukurinë dhe kujtesën historike të vendit të shqiponjave.

Realizimi i misionit tonë, me mbështetjen e Bashkisë së Lushnjës, është gjëja më e rëndësishme!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.010261058807373
array(1) { ["section"]=> string(127) "miss-shqiperia-2020-flet-alda-bida-truri-qe-organizoi-eventin-ne-kushte-pandemie-gati-marrezi-por-shume-dashuri-e-pasion-215274" }