Dy shpërthime të fuqishme janë dëgjuar mbrëmjen e djeshme në Lezhë, shpërthime që kanë alarmuar banorët dhe i kanë detyruar të dalin nga shtëpitë.
Pavarësisht se siç janë shprehur, kanë telefonuar Policinë, as kjo e fundit nuk ka asnjë informacion se për çfarë shpërthimesh bëhet fjalë. Edhe mëngjesin e sotëm nuk ka asnjë njoftim nga Blutë e Lezhës, të cilët ende nuk e kanë gjetur vendin e shpërthimeve.
Shpërthimi i parë u dëgjua në Ishull-Shëngjin në orën 19:40 dhe shpërthimi i dytë u dëgjua në Ishull-Lezhë në orën 19:41. Sipas banorëve, zhurma ishte shumë e fortë, ndërsa dridhjen e krahasojnë me atë të tërmetit.
“Ishte nga ajri dhe kanë shpërthyer në ajër. Ishin dy goditje punë sekondash. Kam lajmëruar operativin e zonës, ata thanë nuk dimë asgjë. Ne kishim frikë, mos vjen ndonjë tip cunami. Dolëm jashtë nga frika, por nuk pamë gjë, për mua ishin goditje nga ajri”, u shprehen mbrëmjen e djeshme banorët e zonës për mediat.