Mitro Çela rrëfen bisedën me Sali Berishën dhe telefonatën në mesnatë: Ku s’më shkonte mendja

Publikuar tek: fcb-bomb, më 13:06 28-09-2016 Mitro Çela rrëfen bisedën me Sali Berishën dhe telefonatën në mesnatë: Ku s’më shkonte mendja

“Haberet e Mitros”, kështu i titullon këto copëza përshkrimesh kaq të bukura Mitro Çela, një nga themeluesit e PD-së, ndërsa rrëfen me aq detaje një bisedë me ish kryeministrin Sali Berisha. E gjitha nis me një telefonatë në mesnatë që “e ngriu në vend” Mitron dhe përfundon me një bisedë në zyrë për Pelikanin kaçurrel.

SI E RRËFEN TË GJITHËN MITRO ÇELA:

“GLOBALIZMI DHE PELIKANI KAÇURREL?!

Në familjen time, globalizmi “mbiu” në rrugë filozofike. Shqip “rrathë rrathë”: nga periferia në qëndër. Në vitet ’80-të vajza e vëllait u martua me një izraelit. Për karshillëk, mbesa tjetër u martua në Pragë. Në fillet e viteve ’90-të, pas eksodit të madh një nga mbesat u martua në Greqi. Pas disa muajve, erdhi haberi nga Italia. Nipi kishte hyrë në një familje italiane. Djali im e gjeti nusen në Kosta Rika. Këtu zë fill edhe tregimi ynë.

Në mes të gushtit, në Shqipëri erdhi si turist Aldo Sançes, një kushëri I nuses së djalit me të fejuarën, Analin nga Norvegjia. Familjarisht, nën regjinë e zonjës , hartuam programin turistik. Ditën e parë në Berat. Aldo ishte I dashuruar pas kështjellave, për një fakt të thjeshtë na tha ai: “Në Kosta Rika nuk ka kështjella?!” Kur pyeta për “pse-në”, mësova një gjë të rrallë: Kosta Rika është I vetmi shtet në botë që nuk ka ushtri?!

Deri në Lushnjë rruga ishte llagar, siç thonë ndë Korçë. Nga Lushnja në Beret, nuk I kursyem mallkimet për qeverinë në ikje Berisha: Gropat e rrugës ishin mbushur si për fushatë elektorale. Në kalanë e Beratit, historia e kodikëve dhe hebrejve, e joshën Analin të nxjerri bllokun e shënimeve…

Në vitin 1943 ushtria gjermane mbriti në Shqipëri. Gestapo kërkonte tre gjera. Së pari, arin e mbetur. Pasi e gjetën, e morën edhe e depozituan në Bankën Kombëtare të Gjermanisë. Së dyti, dorëzimin e hebrejve. Qeveria e kohës dhe populli shqiptar nuk I dorëzoi hebrejtë.

Së treti, të merrnin në Berat dhe të dërgonin në Berlin kodikët. Lajmin e dëgjuan priftërintë që shërbenin në katedralen e Kalasë së Beratit. Hapën një gropë dhe I futën brenda kodikët. Priftërinjtë u gjynjëzuan para ikonës duke u lutur: “ Na ndje o Shën Mari! Jemi të detyruar të gënjejmë, në mënyrë që gjermanët të mos I marrin kodikët?!” Disa ditë më vonë erdhën gjermanët. Ata u betuan: Në katedrale kurrë nuk ka kodikë!”

Për të ngrënë morëm tatëpjetë kalasë dhe qëndruam tek restorant “Turi”. Afrohet shefi I guzhinës. Nisa të mbaj llogo:” 300 vjet më parë në Berat ka kaluar Çelepiu, më I famshi kronikan në perandorinë Osmane. Mes kronikave, flet edhe për disa gjëllë që ka ngrënë në Berat”…Mund të na I gatuash?!... Shefi nxori gjoksin përpara, si herojtë e filmave sovjetikë, vështroi sytë blu të Analin dhe tha: “Traditat I ruajmë si sytë e ballit?!”…

Pa kaluar disa minuta, drejt nesh vjen kamarieri. Në dorë mbante një tabaka me gota:” Kemi 25 lloje rakish: rrushi, kumbulle, manaferre, mani, ftoi, mareje…Provoini! Unë u këshilloj rakinë e arrës. Unikale në Shqipëri!”…Analini tha ka shijen e likerit. Aldo e krahësoi me pamperon. Mua më shijoi si fërrnet!?”…Kamarieri nisi të sjellë pjatat. Përshesh me zog fushe…Shqeto…Djathë dhie…Fasule pllaqi…Tulluma… Formula e gatimit?...Si 300 vjet më parë…

Ditën e dytë morëm rrugën për në Voskopojë. Në makinë tregova diçka për qytezën. Voskopopja lulëzimin më të madh e ka pasur rreth viteve 1760. Në atë mot kishte 30 mijë banorë, shqiptarë, grekë, hebrej dhe vllahë. Qyteti kishte akademi, biblotekë dhe shtypshkronjë. Kishte 25 kisha dhe 14 korporata zejtarësh. Qyteti ishte në kryqëzimin e rrugëve për karvanët që transportonin mallra nga Venecia, Selaniku, Kostadinopoja, Sofja, Manastiri, Budapesti etj...U futëm mes pyllit me pisha. Ndaluam në ish kampin e puntorëve. Sot quhet Akademia…I ndërtuar në një lëndinë, mbase është nga gjërtat më të bukura në Shqipëri...Zonja ime, që e njihte Voskopojën sikur të ishin dyqanet e Bllokut në Tiranë, nisi bisedën për guzhinën me Analin: “ Në Voskopojë saçi është mbreti I guzhinës. Do porosisim byrek në tepsi me tre soje: qepë, domate dhe gjizë. Çdo gjë bio.” Erdhi tepsia që “mbuloi” tavolionën. Miqtë nisën të hanë me dorë, duke lëpirë gishtat…Mishi I qingjit I pjekur në saç, I përzier me verë shtëpie, shto ajrin e pastër dhe ujët si kristal, sa nuk i ra vilani çiftit nga Kosta Rika…Por rroftë e qoftë emacipimi dhe globalizmi: përfunduan ”boka e boka”!

Nga Voskopoja përfunduam në Pogradec. Në darkë shkuam tek “ Loshi”. Lokal ka dy pjesë. Njera më e thjesht, për të nxjerrë në pah pikturat e vendusura në mur. Pjesa tjetër ka dy tavolina të mëdha. Në mes oxhaku. Kanapetë të mbuluara me velënza. Zumë vend në tavolinë. Vjen pronari, Loshi, pa defter në dorë: Kemi mish pe egërsirash: qafë ariu; mish kaprolli; na ka erdhur një kec I egër nga Korabi. Turshi të bëra nga zonja ime. Domate zemër kau. Qepë e hudhra. Erza nga mali. Verë buti!...

Në fillim erdhi shporta me bukë! E fryrë si tullumbac. Kërce- prej furrës me dru…Qafa e ariut kishte një shije të veçante, sepse notonte në salcë shtëpie…Kur pimë gotën e parë me verë buti, rreth tavolinës tjetër zunë vend një grup me italianë…Turistë,- pyeta kamerierin…Jo. Janë gjahtarë nga Napoli. Pa kaluar 20 minuta, bashkuam tavolinat. Rroftë globalizmi…

-Tu tregoj një të bukur,- tha Marjo.- Në Shqipëri ka 10 mijë gjahtarë. Por në treg janë shitur 100 mijë çifte. Në shumë raste çiftet blihen për gjueti dhe përdoren si armë zjarri, për vrasje ose kërcënime?!

-Si dolët në gjah? Vratë ndonjë derr a thëllëzë?!”...

Në pritje të përgjigjes, buzëqesha duke e ditur maninë e gjahëtarëve për ta bërë qimen tra... “Nuk kemi ardhur për gjah, -tha Domenik.- Nuk është tani sezoni...Do shkojmë në kënetën e Nartës, ku rritet një zog i rralla: Pelikani kaçurel. E dini pse? Napoli është atdheu i picave. Duam të prodhojmë një asortiment të ri. Frymëzimin e kemi marrë nga “Pica Berluskoni”. Ajo bëhet me thekër, qepë të kuqe, kërpudha dhe ... mishi dreri të tymosur. Deri i tymosur e bën kaq të veçantë në shije, sa “Pica Berluskon” është bëre e preferuar në Finlandë, Itali, Poloni dhe sidomos në SHBA. Ne mendojmë të bëjmë një picë të re. Duam ta pagëzojmë “Pica pelikani kaçurrel”...

Ditën e tretë u nisëm për në Vlorë. U futëm në autostradë. Afër Panajasë, në të dy krahët e rrugës, janë ndërtuar rrjeta me lëndë plastike...

- Në Norvegji,- tha Analinë,- janë shumë të përhapura këto bariera, për të zvogëluar efektin e zhurmave të makinave nëpër qëndrat e banuara. Por këtu po shoh vetëm fusha...Pse janë ngritur?

I kujtova Analin, bisedën me italinët. Fantazia e tyre për picën e ka zanafillën tek këto rrjeta plastike në mes të fushës. Ndërkohë u tregova këtë histori.…

Rruga Fier - Vlorë ishte parashikuar të ndërtohej me finacim të Bashkimit Evropian. Në Bruksel, për të firmosur livrimin e fondeve shkoi në vitin 2008 një delegacion. E kryesonte ministri I Transportit Sokol Olldashi. Kur ministri nga Shqipnia priste të hidhej firma, ekspertët e Brukselit kundërshtuan.

Ministri:- Kush ëshë shkaku që nuk paranoni të hidhni firmën?

Eksperti:- Pelikani kaçurrel!

Ministri:- Çështë kjo marrëzi?! Ne kemi ardhur në Bruksel për rrugën, ju na flisni për zoga të egra?!

Eksperti:- Zoti ministër! Ruani gjakftotësinë! Zëvendës ministri juaj i Mjedisit Taulant Bimo, ka shkruar se në kënetën e Nartës, pranë së cilës do të kalojë rruga Fier - Vlorë, rritet një zog I rrallë. Me paratë e taksapaguesve evropianë, nuk mund të lejojmë “pushkatimin” e pelikanit kaçurrel?!...

Në inat e sipër ministri mori në telefon Berishën. Nuk kam informacion për bisedën. Unë di pasojat, sipas tregimit të zëvendës ministit të Mejdisit Taulant Bimo:

-Mesnatë. Isha shtrirë në krevat. Bie telefoni…Ishte Kryeministri!...Pa shumë delikatesë, më ftoi të shkoja në zyrë. Rrugës duke udhëtuar me makinë, ku nuk më shkonte mendja. Normale. Ishte hera e parë që Kryeminitri më thërriste në zyrë, në mes të natës. Berisha më tha:

- Ke shkruar ndonjë letër për Brukselin kohët e fundit?

-Jo!

-Mendohu mire?!

Vrava mendjen… Përsëri thashë: “ Jo!”…

-Për pelikanin kaçurrell nuk ke bërë ndonjë letër?

U kujtova...Më erdhi zemra në vend… Disa vite më parë kisha botuar një libër për shpendët e rrallë që rriten në Shqipëri. Mes tyre bën pjesë edhe pelikani kaçurel. Libri, me sa duket do ketë rënë në duar e ndonjë eksperti të BE, - I thashë Kryeministrit.

-Duhet gjetur një kompromis, - tha Berisha duke qeshur.- Të lutem, bëj një letër për Brukselin…I ke hapur një telash të madh Olldashit në Bruksel… Për kurjozitet: si është ky pelikani kaçurel?

-Zoti Kryeminsitër! Unë vet nuk e kam parë. As ekspertë të tjerë të mjedisit. E kanë parë disa fshatarë. Ata na e përshkruan. Mbi këto të dhëna, është bërë skica e pelikanit kaçurel!

Po atë natë, tregon Taulan Bimo, “thura” një letër diplomatike për vlerat dhe rëndësinë që ka pelikani kaçurel për fatet e Shqipërisë. Hodha idenë: Rruga Fier- Vlorë, të ndërtohet, nëse projektit i bëhen koregjimet e domosdoshme për mbrojtjen e pelikanit kaçurel.…Pasi në projekt u shtuan disa rrjeta, ekspertët e Brukselit u bindën dhe miratuan fondet për ndërtimin e rrugës…”

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.030653953552246
array(1) { ["section"]=> string(98) "mitro-cela-rrefen-biseden-me-sali-berishen-dhe-telefonaten-ne-mesnate-ku-s-me-shkonte-mendja-54380" }