“Dorëhiqu”. Kjo është kërkesa e mjekëve pas rrëzimit që Gjykata Administrative i bëri sot testimit të infermierëve, nismë e mbështetur fort nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Mjekja dhe pedagogia Anika Dokle ka kërkuar dorëheqjen e ministrit Beqaj, pasi siç shprehet ajo ministrit i mungon morali për të drejtuar bluzat e bardha dhe ka precedent të konfliktit me ligjin.
“Nuk ke moral të drejtosh bluzat e bardha! Nuk e ke patur që ditën e pareë pasi ke precedentë të rëndëesishëm të konfliktit me ligjin. Tentativa jote antiligjore për t'i vënë në rresht bluzat e bardha, sapo mori dërrmën e parë. Nuk e bën dot ti me "sojin" që ke zgjedhur ta bësh fotografimin e nivelit të bluzave të bardha”, shkruan Dokle
Dokle shkruan më tej se barrën e shëndetësisë e mbajnë mjekët që u shërbejnë pacientëve në kushtet e mjerimit dhe jo ministri me shefat e tij.
“Barrën në shëndetësi nuk e mban as ti, as "shefat" e tu, as "pulat" e tua!! E mbajnë mjekët e ndershëm dhe të devotshëm që ditë dhe natë u shërbejnë me vetëmohim në kushte mjerimi pacientëve. Ju, "soji" juaj, vetëm e milni atë si një lope! Ik, sa nuk është vone”, shkruan në postimin e saj mjekja.
Mjekët kishin kërkuar edhe më parë nëpërmjet firmosjes së një peticioni shkarkimin e ministrit Beqaj, pas vendimit të marrë për testimin e mjekëve në të gjithë Shqipërinë.
Gjykata Administrative ka vendosur sot pezullimin e testimit për infermierët deri në gjykimin e çështjes në themel.