Mjekët dhe infermierët janë grumbulluar para Kryeministrisë për të protestuar sërish për testimin dhe të drejtat e tyre.
Ata akuzojnë drejtpërdrejt qeverinë se është duke i ushtruar presion bluzave të bardha për mos zhvillimin e protestës. Mjekët dhe infermierët pohuan para medias se nuk janë kundër testimit por kundër paligjshmërisë në mënyrën se si ai po kryet, pasi sipas tyre, ky është një tagër që nuk i takon ministrisë së Shëndetësisë por ministrisë së Arsimit.
“Papërgjegjshmëria ështe në kuatat maksimale, ministria e Shëndetësisë po merr tagrin ligjor të ministrisë së Arsimit dhe po thyen autonominë profesionale si dhe ligjet e vendit’, tha një nga mjekët protestues.
Bluzat e bardha shpjeguan se u mblodhën para Kryeministrisë për t’i dhënë një mesazh kryeministrit Rama se protestat do vazhdojnë edhe pse presionet e shtetit për mos vazhduar protestën, sipas tyre, janë maksimale.
Protesta janë duke u zhvilluar edhe në ambjentet e QSUT-së dhe qendrave të tjera spitalore.