Mjellma e bardhë e Kosovës, vajza që u grabit me armë dhe u përdhunua

Publikuar tek: rajon, më 12:40 26-03-2019 Mjellma e bardhë e Kosovës, vajza që u grabit me armë dhe u përdhunua Vasfije Krasniqi

*Ti, mjellma e bardhë e Kosovës

Nga shkrimtari Luan Rama

Vasfije Krasniqit, që gjatë Luftës së Kosovës, u grabit me forcën e armëve dhe u përdhunua. Sot ajo kërkon hapur dënimin e përdhunuesve të saj serbë.

--------

Motra ime e vogël

syri ynë i bukur dhe i dlirë

ti u zgjove sërrish të ecësh në udhët e botës

për të treguar plagët e shpirtit

plagët e plagëve të mëmës Kosovë

kohën e errët të poshtërimit

dhe të eklipsit të madh.

Ti nuk doje ta lije Vushtrinë

kulmin e vjetër të shtëpisë me trarët e rënë

lëndinën - Kosovë

ti qëndrove si lastari i bukur mes zjarrit

rrahur nga furtuna dhe rrufetë

stolisur me 16 lulëkuqet e jetës tënde

e bukur si Venusi në velur

aty ku toka qante e nxihej

aty ku Kosova dergjej në vdekjet e e saj të mëdha

trandur nga vargu i madh i eksodit biblik.

Populli shkonte

të vdekur e të gjallë

por ty motërz të tërhoqën zvarrë

kryqëzuar si Krishti

kryqi shtrirë në Babimovc

përzhitur në urrejtje dhe hekur të skuqur

ndërsa ti kërkojë veç një plumb

që jeta të humbte

që bota të shuhej

ti bozhur i bukur i Kosovës

ti doje të vdisje atje në katakombet e krimit

ata donin që preha të vuante gjer në frymën e fundit.

Më kot kërkoje diellin në qiejt e nxirë

atje ku zogjtë s’pipëtinin më

ku të gjitha këngët qenë shuar

ku gjethet nuk fëshfërinin më

dhe hëna mbytej në honet e mjegullta

me trishtin tënd të pafund

me lotin e ngrirë dhe gjinjtë e gjakosur

dhe ku shtëpia i ngjante një arkivoli të madh.

Ditë pa frymë në tokën djerrë

në rrokullisjen e zhurmëshme të bombave

kur muajt nxitonin të sillnin një tjetër ag

më të bukur se agimet e tjera

kur një dritë e bardhë papritur tu afrua dhe të tha:

- Eja bija ime etërit janë zgjuar

të vdekur dhe të gjallë

bijtë po kthehen nga udha e gjatë!

Koha kalonte

dhe ti shkele sërrish pragun e jetës

me aureolën e dritës së bardhë

me diellin dhe hënën në sy

shtëpitë e vjetra u ringritën në udhët e gjelbërta

dhe jeta u mbars përsëri

aromë gruri dhe dashurie

por ti jetoje ende me hiret e tragjedisë

në ehot e britjeve

zhytur në greminën e heshtjes

në heshtjen që një ditë do klithte për shpagim.

Motra ime e vogël

syri ynë i bukur

më së fundi ti u zgjove

për të ecur sot në flladin e botës

ku mijra e miliona duar të mbajnë lart

si një emblemë purpuri të kurajos

ti, mjellma e bardhë e Kosovës…

-------

Luan Rama

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.46359205245972
array(1) { ["section"]=> string(75) "mjellma-e-bardhe-e-kosoves-vajza-qe-u-grabit-me-arme-dhe-u-perdhunua-157942" }