Anëtarët e Klubit të Patriotëve të Rinj kanë organizuar një aktivitet sensibilizues për t’u thënë “Mos ik” shqiptarëve. Të rinjtë zgjodhën biçikletat për të pedaluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin “Nënë Tereza” duke u bërë thirrje mbarë shqiptarëve që të mos braktisin atdheun, por të qëndrojnë dhe të punojnë të gjithë së bashku për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë.
Pjesë e fushatës sensibilizuese “Mos ik” u bë edhe kreu i “Klubit të Patriotëve të Rinj”, Albano Idrizi i cili u shpreh se vetëm të gjithë bashkë dhe duke punuar çdo ditë mund të ndërtohet një Shqipëri më e mirë.
“Vendi ynë ndërtohet duke qenë të gjithë bashkë dhe duke punuar përditë e më tepër për një Shqipëri më të mirë, më demokratike, më solidare. Vendi ynë ka një të kaluar të lavdishme sepse të parët nuk u larguan prej tij megjithë vështirësitë e shumta që hasën. Ky është shembulli ynë, ta duam Shqipërinë tonë. Ti duam Shqiptarët të Bashkuar”, shprehet Idrizi.