Prej disa ditësh vendi është përballur me mot të acartë i shoqëruar me reshje bore deri në zonat e ulëta. Kjo ka sjellë edhe probleme të shumta në disa qarqe të vendit.
Ndërkohë dita e sotme ka nisur me një përmirësim të kushteve të motit.
Në qarkun e Dibrës, problemet për shkak të motit vijonë në disa zona të thella. Në Ternovën e Madhe dhe të Vogël vazhdojnë që të jenë të bllokuara 115 familje.
Rrugët janë hapur edhe në Bashkinë e Kukësit. Pas pastrimit nga dëbora dhe kriposjes është bërë e mundur edhe hapja e rrugës Kukës-Shishtavec.
Mësohet se në Korçë situata shfaqet më e mirë se në ditët e kaluara pasi nuk ka patur reshje dëbore. Ndërkaq, pavarësisht përmirësimit të motit problematike vijon të mbetet zona e Ersekës. Në qafën e Qarrit e cila ka një dëndësi të madhe të dëborës qarkullimi në këtë aks bëhet vetëm me zinxhirë.
Zona e Mokrës në Pogradec vijon të jetë pa energji elektrike, edhe pjesa e Gorës dhe Lekasit pasi linjat janë dëmtuar.