Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka zhvilluar më 8 mars një vizitë të papritur në zyrat e ZVRPP-së në Vlorë, ku është përballur me mosprezencën e stafit në ambientet e punës.
Naço pati deklaruar se kjo sjellje është papranueshme për të dhe për qytetarët duke paralajmëruar masa ndaj punonjësve të kësaj zyre.
Megjitha, drejtori i Përgjithshëm i hipotekave Ilirjan Muho ka justifikuar sot mosprezencën e stafit në vendin e punës, për shkak se po festonin 8 marsin, ndërsa ka shtuar se nuk do të tolerohen rastet e neglizhimit të punës.
“Përsa i përket inspektimit të Ministrit Naco stafi atë ditë po festonte 8 marsin dhe me dijeninë time ishin larguar më herët nga puna atë ditë. Por kjo nuk do të thotë se ne do të tolerojmë ndonjë rast të neglizhimit të punës”, ka thënë ai.
Muho ka shtuar se ZVRPP e Vlorës ka përpunuar rreth 7000 dosje, një volum pune i barabartë me fluksin e një viti. “Stafi i Zvrpp Vlorë ka përpunuar rreth 7000 dosje me dokumentacion të paraqitura nga qytetarët. Ky volum pune është i barabartë me fluksin e një viti të tërë”, tha Muho.