Gruaja e biznesmenit të njohur shqiptar, Hari Lena, që ka përfaqësinë e kompanisë së "BMW" në Shqipëri, Floreta Lena është ndaluar nga policia e Gjirokastrës për shkak të përfshirjes në një aksident me pasojë vdekje të ndodhur pak ditë më parë.
Burime për Newsbomb.al bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në Gjirokastër dhe paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit të ketë qenë akulli në rrugë. Mësohet se një 63 vjeçar me iniciale Sh.B., ka rrëshkitur në rrugë në momentin kur Lena po kalonte me makinën e saj të tipit ‘Mini Cooper’.
Shoferja nuk ka mundur të frenojë dhe për shkak të akullit makina ka rrëshkitur duke përplasur 63 vjeçarin. I moshuari është transportuar me shpejtësi drejt spitalit të Gjirokastrës dhe më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, por për shkak të plagëve të shumta ka ndërruar jetë.
Aktualisht gruaja e biznesmenit ndodhet në ambientet e komisariatit të policisë deri në sqarimin zyrtar të shkaqeve të aksidentit. /Newsbomb.al