Ndërtimi “ringjall” ekonominë shqiptare, industria dhe shërbimet dobët

Publikuar tek: ekonomi, më 17:13 09-10-2017 Ndërtimi “ringjall” ekonominë shqiptare, industria dhe shërbimet dobët

Besimi në ekonomi është rritur në tremujorin e tretë pas rënies në tre muajt e mëparshëm, duke reflektuar pritshmëritë pozitive të sektorit të ndërtimit dhe konsumatorëve.

Treguesi i ndjesisë ekonomike  (TNE) shënoi rritje me 1.8 pikë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2017, duke qëndruar në nivelin 113.8, raportoi Banka e Shqipërisë. Ky nivel i TNE-së mbetet mbi mesataren afatgjatë të treguesit dhe mbi vlerën e tij në të njëjtin tremujor një vit më parë. Rritja e TNE-së reflektoi përmirësimin e besimit të bizneseve të tregtisë e ndërtimit, dhe besimit të konsumatorëve. Ndërkohë, nivelet e treguesve të besimit në shërbime dhe në industri rezultuan lehtësisht më të ulëta krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) shënoi rënie të lehtë me 1.0 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë të vitit 2017. Megjithatë, TBI-ja vazhdon të qëndrojë 10.9 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Rënia e TBI-së u përcaktua kryesisht nga ecuria e balancës së gjendjes së inventarëve (+2.6 pikë përqindje ), dhe në një masë më të vogël nga rënia e balancës së prodhimit (-0.4 pikë përqindje). Ndërkohë, balanca tjetër formuese e treguesit, kontratat porositëse, qëndroi pothuajse në të njëjtin nivel si në tremujorin e mëparshëm. Balanca të tjera të vrojtimit si gjendja financiare e bizneseve dhe pritjet për ecurinë e prodhimit në tremujorin e ardhshëm shënuan gjithashtu rënie, shkruan Monitor. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ra me 0.4 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë, duke qëndruar rreth vlerës 74.0%. Megjithatë, kjo normë mbetet 1.7 pikë përqindje mbi mesataren historike të saj.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) vijoi të shënojë rritje për të tretin tremujor radhazi (+7.2 pikë përqindje). Kjo tendencë e ka zhvendosur treguesin me 8.5 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij (grafik 2). Ecuria e TBN-së pasqyroi rritjen e të dy komponentëve të tij: balancës së aktivitetit ndërtues (+9.9 pikë përqindje) dhe balancës së kontratave porositëse (+4.4 pikë përqindje). Balancat e tjera të vrojtimit që nuk përfshihen në gjenerimin e TBN-së si ajo e punësimit dhe e gjendjes financiare, me gjithë rënien e lehtë të shënuar në tremujorin në analizë, mbeten mbi nivelet e një viti më parë. Për sa i takon pritjeve për punësimin në tremujorin e ardhshëm, ato rezultuan më të përmirësuara. Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi rreth 62.9%, pothuajse sa norma mesatare e shënuar gjatë gjysmës së parë të vitit. Megjithatë, kjo normë mbetet 1.2 pikë përqindje nën mesataren historike të saj.

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) vazhdoi të bjerë edhe gjatë tremujorit të tretë (-2.2 pikë përqindje). Megjithatë, niveli i treguesit qëndron 8.0 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij dhe 1.1 pikë përqindje mbi vlerën e të njëjtës periudhë një vit më parë (grafik 4). Të dy balancat formuese të TBSh-së shënuan rënie, me përkatësisht 2.3 pikë përqindje balanca e ecurisë së biznesit dhe me 2.0 pikë përqindje balanca e kërkesës. Midis balancave të tjera të vrojtimit, rënie shënoi edhe balanca e punësimit, ndërsa vlerësimet për gjendjen financiare, pritjet e bizneseve për punësimin dhe kërkesën në tremujorin e ardhshëm rezultuan të përmirësuara. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi rreth 73.0%, 1.3 pikë përqindje më lart nivelit të tremujorit të mëparshëm. Megjithatë, ajo mbetet 3.4 pikë përqindje nën mesataren historike të shfrytëzimit të kapaciteteve nga bizneset e shërbimeve.

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) u rrit me 7.2 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë, duke qëndruar 8.9 pikë përqindje mbi mesataren historike të treguesit (grafik 5). Niveli më i lartë i treguesit reflektoi rritjen e të dy balancave përbërëse të TBT-së: ecuria e biznesit (+8.3 pikë përqindje) dhe pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm (+6.1 pikë përqindje). Një përmirësim të ndjeshëm shfaqi edhe balanca e gjendjes financiare të bizneseve të sektorit. Ndërkohë, vlerësimet për punësimin në tremujorin e tretë dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm shënuan rënie. Gjithashtu, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi rreth vlerës 69.7%, 1.6 pikë përqindje më poshtë nivelit të një tremujori më parë. Kjo normë mbetet 7.3 pikë përqindje nën mesataren historike të saj.

Treguesi i besimit konsumator (TBK) vazhdoi të rritet edhe gjatë tremujorit të tretë të këtij viti (+1.3 pikë përqindje). Dinamika e përmirësuar e treguesit e ka vendosur TBK-në rreth 4.5 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij (grafik 6). Balancat e blerjeve të mëdha (+3.3 pikë përqindje) dhe situatës së të ardhurave dhe shpenzimeve (+2.0 pikë përqindje) kontribuan në kahun rritës për vlerën e TBK-së, duke përcaktuar edhe prirjen e treguesit, shkruan Monitor. Ndërkohë, dy balancat e tjera formuese të TBK-së – situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend dhe situata financiare e pritur e familjes – ranë me përkatësisht 0.3 dhe 0.1 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0071859359741211
array(1) { ["section"]=> string(73) "ndertimi-ringjall-ekonomine-shqiptare-industria-dhe-sherbimet-dobet-95278" }