Mbyllja e dosjes së Vettingut për ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, po i kushton vendin e ri të punës Komisionerit Herald Saraçi, i cili sot, po gjykohet në Dhomën e Apelimit, pas kërkesës së trupës ndërkombëtare OMN, për shkelje të kryera nga komisioneri Saraci.
Sot, avokati i komisionerit, ka kërkuar kohë që të njihet me aktet ndërkohë që pritet në mes të marsit të merret vendimi për komisionerin.
Ky është i pari zyrtar që është kapur në shkelje nga vëzhguesit ndërkombëtarë, dhe I përket një prej institucioneve të vetingut.
“Kërkesa u depozitua bazuar në gjetjet dhe vëzhgimet e kryera nga vet Vëzhguesit Ndërkombëtarë, të cilët janë përgjegjës për monitorimin e procesit në të gjitha fazat dhe nivelet. Këto detyrime janë parashikuar në Kushtetutën e Shqipërisë, në Aneksin për vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, është argumentimi.
Herald Saraçi, mori në kuvend votat e 11 deputetëve, nga 12 qe kishte komisioni, duke u zgjedhur Komisioner Publik.
Komisioneri Publik është një institucion i ngritur si pjesë e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili ka për detyrë përfaqësimin e interesit publik gjatë kryerjes së vetingut.
Sipas Kushtetutës ky institucion ushtron apelimin e vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe përgatit raporte me shkrim në rastet e refuzimit për moszbatimin e rekomandimeve te Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim ne Kolegjin e Apelimit.