Ish-deputetja e PD Albana Vokshi ka reaguar pas veprimit te Policisë së Shtetit, e cila përmes një letre u ka kërkuar falje bizneseve dhe qytetarëve në rrugën pranë Parlamentit.
Me anë të kësaj letre, Policia ka kërkuar ndjesë për shqetësimin e krijuar si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës gjatë protesës së datës 26 shkurt.
Por ish-deputetja Vokshi e ka quajtur ndjesën e Policisë një tallje për qytetarët, ndërsa ka shtuar se bandat me uniformë të Edi Ramës të vrasin natën dhe të qajnë ditën.
'Helmimi me lëndë kimike i protestuesve, fëmijëve, nxënësve të shkollës ekonomike, grave dhe nënave shtatzëna, banorëve dhe bizneseve të zonës është bërë me urdhër kriminal gjakftohtë për të trembur opozitën dhe qytetarët. Pamjet tregojnë se kanë hedhur aq shumë gaz lotsjellës, sa kanë helmuar edhe njerëzit brenda qendrës tregtare pranë parlamentit', ka shkruar ndër të tjera Albana Vokshi.