Ndryshime në qeveri, kryeministri Edi Rama vendos ngritjen e një ministrie të re dhe propozon emërimin e Arben Ahmetajt.
Bëhet fjalë për ngritjen e Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin, në krye të së cilës është propozuar ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj.
Dekreti i është dërguar presidentit Ilir Meta.
“Programi i Rindërtimit dikton hapjen e një vendi të posaçëm edhe në tryezën e Këshillit të Ministrave,ku një ministër i ngarkuar ekskluzivisht me koordinimin e të gjitha institucioneve vendase e ndërkombëtare që lidhen me këtë program,të ndjekë orë e minutë zbatimin e Programit”, shkruan Rama.
Aktualisht Arben Ahmetaj kryeson Komitetin Kombëtar të Rindërtimit, që ka për qëllim menaxhimin e situatës dhe rindërtimin e zonave të goditura nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit.