Një 53 vjeçar është arrestuar nga Policia në pikën kufitare të Qafë-Thanës, pasi ishte shpallur në kërkim për një vrasje të mbetur në tentativë.
Sipas informacioneve paraprake, shtetasi Gjon Çaushi po tentonte të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme, ndërsa dhe mjetin e identifikimit nuk e kishte të tijin. 53 vjeçari ia kishte vjedhur pasaportën një personi tjetër dhe me të do të dilte jashtë territorit të vendit tonë.
Në 3 dhjetor të 2019, Gjon Çaushi 53 vjeç ka goditur me thikë shtetsain me inicialet E.Sh në Vlorë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Kapet një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasja me dashje mbetur në tentativë”, i cili u kap duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, me pasaportën që i kishte vjedhur një shtetasi tjetër.
Shërbimet e patrullës së kufirit të gjelbër, në Stacionin e Policisë Kufitare Qafë-Thanë, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim:
Gj.Ç., 53 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 03.12.2019, në lagjen “Isa Boletini”, në Vlorë, ku dyshohet se ka goditur me mjete prerëse shtetasin E.Sh.
Punonjësit e policisë kufitare gjatë patrullimit të kufirit të gjelbër, kanë kapur shtetasin Gj.Ç., gjatë kontrollit fizik të të cilit iu gjet një pasaportë me gjeneralitetet e shtetasit A.A, 55 vjeç, banues në Vlorë, të cilën ia kishte vjedhur disa ditë më parë këtij të fundit, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme.
Veprimet e mëtejshme proceduriale u kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë.