Para dy ditësh u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare, nën drejtimin e presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Në praninë e kreut të Kuvendit, kryeministrit por edhe të kreut të Shërbimit Informativ, Visho Ajazi Lika, ata diskutuan për informacionet më të fundit lidhur me rrezikun që i kanoset Shqipërisë.
Por nga çfarë raporton ‘’ABC News’’, SHISH së fundmi po mban nën vëzhgim një grup me prirje radikale që kanë mbërritur në vendin tonë nga Kosova dhe Bosnja. Sipas të dhënave të kufizuara që kanë dalë nga burime të SHISH, grupi vepron nën emrin e disa organizatave bamirëse, por nuk dihet më shumë rreth numrit dhe emrit të tyre.
Ajo që mësohet është se këto organizata kanë krijuar degë në Kamëz, Shkodër, Kavajë, Cërrik, Pogradec, Elbasan dhe Librazhd. Ata ndihmojnë njerëzit në nevojë me ndihma: ushqime e veshmbathje, duke krijuar paralelisht një grup besimtarësh, të cilët shkojnë në xhamitë që nuk janë nën kontrollin e Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Megjithatë dje kryeministri Edi Rama deklaroi se jemi njësoj të rrezikuar nga terrorizmi si vendet e tjera.