Në Shqipërinë e ‘’humbamenove’’

Publikuar tek: analiza-komente, më 12:29 14-12-2015 Në Shqipërinë e ‘’humbamenove’’

Nga Genti Minga

Që ka njerëz të cilëve u dukemi të çuditshëm, që nuk na kuptojnë dhe as nuk na duan, këtë e dimë. U ndodh të gjithëve. Edhe atyre që nuk na duan u ndodh të mos i duan. Kam që nga klasa e peste 8-vjeçare që nuk ma ndjen për këto gjera.

Jam rritur në një qytet ku të shkoje në Pallat të Kulturës të recitoje ishte tmerr i madh dhe e bëja me qejfin më të madh për thjesht një arsye: ngaqë më pëlqente MUA!! Shkruaja poezi, fitoja çmime në letërsi, botova një libër 15-vjeç dhe sigurisht, në një vend ku njerëzit rronin (asokohe) për të luajtur në bingon e qytetit dhe për të ngrënë sallam Top Hat, nuk prisja të më kuptonte njeri.

Pastaj e bëra të mesmen në një gjimnaz ku "nacut" nuk merrnin libra, se ishte turp, por fusnin poshtë bluzës një fletore të hollë. Donin të dukeshin seksi, nuk kishin faj, kurse unë mendoja se nuk ka më seksi se sa një çantë plot me libra.

Nuk e teproj kur them se për katër vite isha i vetmi që mbaja një çantë në gjimnaz, edhe pse dukesha si UFO. Arsyeja? E bëja sepse më shërbente MUA!! Sepse kisha një qerre me libra dhe nuk di pse, por çanta më dukej një mjet fantastik që më lehtësonte mënyrën për t'i mbajtur ato (çne?!).

Pastaj studiova në një universitet ku isha I VETMI që mbaja shënime, i shtypja ato në kompjuter dhe bëja libërlidhje. Në fund të vitit, nuk kisha shënime me shkrim si këmbët e pulës, por "libra" që më lehtësonin për provimet. E bëja këtë për veten time, edhe pse nuk e kursenin gojën kur pohonin se kjo gjë u dukej e çuditshme (sepse në Shqipëri është e çuditshme që një student të mbajë dhe sistemoje shënimet!?!?!?!?!).

Dhe pasi thoshin se kjo gjë ishte e çuditshme, shokët e kursit luteshin t'i fotokopjonin këto çuditë e mia gjithsesi!?!?! Po kur them LUTESHIN, e kam fjalen që disa uleshin dhe në gjunjë. Në kuptimin e parë të fjalës.

Pas shkollimit, që është në fakt një torturë e vërtetë, pasi nuk gjen askund dije, por mediokritet, të vjen radha të dalësh në punë. Kam 15 vite që rrethohem nga njerëz që u pëlqen profesioni i tyre, por jo puna që bëjnë. Që duan vetëm përfitimet nga ajo që bëjnë, jo pjesën e sakrificës. Që duan të korrin pa mbjellë.

Dhe këta njerëz janë shumë herë më pak të dëmshëm se ata që janë sipër tyre dhe i tolerojnë . Sa për mua, që nga gjetja e një fjale të goditur në shkrim, deri te pastrimi i objekteve nga pluhurat para se të fotografohen, e bëj vetë dhe me qejfin me te madh, ndonëse të gjithë ata që më rrethojnë mendojnë se "e teproj". Dhe e teproj, jam i ndërgjegjshëm për këtë, por e bëj se ma do qejfi MUA.

 Dhe kur MUA ma do qejfi një gjë, nuk pyes për asgjë e për asnjeri. Jam 32 vjeç dhe kam jetuar në një vend ku një fëmijë që krijon shihet me çudi (që fëmijët janë të gjithë artistë të vegjël, kureshtarë dhe eksperimentues natyralë), një adoleshent që shkon në shkollë me libra është demode, një student që mban shënime dhe i organizon quhet humbameno dhe një profesionist i ri që nuk ka ëndërr të bëhet drejtor, por thjesht të realizojë idetë që ka në kokë, quhet i pazoti; një vend ku njerëzit rendin pas teminave dhe gurëve fals te "luksit", një luks vulgar dhe pa vlerë, duke sakrifikuar thjeshtësine dhe shkelqimin e pastër që dhuron një ngjarje e thjeshtë, e mbushur me vërtetësi dhe humanizëm dhe që ndodh njëherë në sa vjet.

 Jetojmë në një vend anapolla, ku gjërat janë përmbysur dhe nakatosur në një mënyrë që duhet të jemi të lumtur edhe thjesht nëse në fund të ditës nuk kemi humbur veten, se miqtë, kolegët dhe "friends"-at i humbasim përditë një e nga një...

PS: Ti që e lexove këtë postim deri në fund, postimi më i gjatë që kam bërë ndonjëherë në jetën time, brRRavo të qoftë!! Ke fituar një lavatrice me ngjyra :)

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.037939071655273
array(1) { ["section"]=> string(33) "ne-shqiperine-e-humbamenove-27735" }