Dy ish kryebashkiakët e Tiranës, do të jenë nën hetim nga Prokuroria. Kryeministri Rama dhe kreu i PD Basha do të japin llogari për lejet e ndërtimit të dhëna në kryeqytet.
Panorama ka zbardhur një vendim të Gjykatës së Lartë që detyron Prokurorinë të kryejë hetime ndaj kryeministrit Rama në lidhje me lejet e ndërtimit. Vendimi i Gjykatës së Lartë, i datës 23 mars 2015 është marrë pas ankesës së bërë nga shtetasi Sokol Hasani që i është referuar një deklarate mediatike të Jorida Tabakut që ka akuzuar Ramën që gjatë gjithë kohës së ushtrimit të detyrës si kryetar i bashkisë së kryeqytetit u ka dhënë leje ndërtimi të kundraligjshme firmave të ndërtimit pranë tij.
Kolegji Penal i Gjykatë s së Lartë ka rrëzuar vendimin e një viti më parë nga Prokuroria e Tiranës për mosfillimin e hetimit ndaj Ramës. Gjykata e Lartë në vendim, urdhëron shfuqëzimin e vendimeve të mëparshme te Prokurorizë dhe kalimin e akteve në Prokurorinë e Tiranës.
Shtetasi Sokol Hasani, ish drejtues në zyrat e ALUIZNI-t ka bërë me dhjetra padi në Prokurori e Gjykata ndaj zyrtarëve të ndryshëm shtetërorë, si ish-kryeministri Berisha. Në shumicën e rasteve kallëzimet e bëra prej tij janë pushuar nga togat e zeza dhe Prokuroria.
Prokuroria e Tiranës duket se ka në dorë edhe një dosje “të nxehtë” që flet për së paku 129 leje ndërtimi të dhëna nga Bashkia e Tiranës gjatë drejtimit të saj nga Lulzim Basha.
Siç raporton Panorama, çështja penale e regjistruar në hetim nga Njësia e Task Forcë në Prokurorinë e Tiranës, për veprën penale “shpërdorim detyre” është hapur pas një kallëzimi të bërë para një viti nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit. Por hetimi është mbajtur sekret dëri më 31 korrik 2015 kur një nga oficerët e Task Forcës Antikorrupsion e ka përpiluar një shkresë Bashkisë së Tiranës, me anë të së cilës Pokuroria kërkon nga Bashkia të dhëna e dokumente për së paku 129 leje ndërtimi .