Emisioni “Stop” ka bërë publik mbrëmjen e sotme një denoncim të rëndë nga vajza e një pacienteje që ka qenë e prekur me koronavirus dhe e shtruar tek “Shefqet Ndroqi”.
Ajo thotë se nëna e saj 55-vjeçare kishte 28 ditë e shtruar në spital, në fund të nëntorit u shtrua. Ajo bëri skanerin dhe doli me Covid. Familja mori mjek privat dhe oksigjen, por 55-vjeçares i plasi hemorragji nga hundët dhe vajza u detyrua ta çojë në spital.
Vajza tha se kishte shkuar te spitali dhe aty i ishte shfaqur një person që i ishte prezantuar si infermiere, shtetësja Tire Alldervishi. Vajza e të ndjerës që ndërroi jetë thotë se znj.Alldervishi që hiqej si infermiere ishte sanitare në të vërtetë dhe e mashtroi.
Lekët i merrte ajo dhe më pas ajo ja shpërndante lekët mjekëve dhe infermierëve. Vajza merrte lekë borxh për të mbajtur gjallë nënën e saj.
“Sanitarja mu shfaq te dera dhe më tha jam infermierja, Tira Alldervishi. Më jep numrin e telefonit dhe më thotë të mbajmë kontakte. Më tha situata është e rëndë dhe ka ngarkesë ndaj na duhen lekë që t’i rrimë te koka. 50 mijë lekë për infermierin, 50 për Tire Alldervishin, 20 mijë lëke sanitarja, 100 mijë lekë mjekja dhe 50 mijë lekë një mjeke tjetër. Shpeshherë lija punën që të bëja pagesën në kohë, më ishte kthyer në detyrim. Shuma që ka marrë Tirja është mbi 8 milionë lekë të vjetra. Unë fusja ushqime dhe ujë vetë, pampersat, insulinat dhe termometër”.
Vajza e të ndjerës mori informacion që Tirja ishte sanitare në katin e tretë dhe jo infermiere, dhe vendosi që ta denoncojë në emisionin investigativ “Stop”.
MESAZHET
Tirja: Atë 70 mijë lekshin për çfarë ma dhe për ditën apo për natën?
Vajza e pacientes: Për ty...
Tirja: Po për ditën apo për natën?
Vajza e pacientes: Qëpar dhashë 50 për Fatjonin dhe Pastruesen, ato 70 janë për ty.
Tirja: Për mua janë pak për sonte 70 mijë lekë...
Vajza e pacientes: Më thuaj sa do dhe t’i jap, vetëm mi rri mamasë afër aman.
Tirja: Të gjithë mjekët janë aty
Vajza: Aman o Tire mos u largo, po më plas shpirti
Tirja: Nuk e di se çfarë barre kam, jam këtu te mami
Vajza: Jepu mjekëve dhe infermiervë sa të duan, vetëm mamin ta kem mirë