Një nënpunës i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), një institucion në varësinë e kryeministrit, që për arsye sigurie shkruan nga një tjetër profil Facebook-u i kallëzon kryeministrit Rama rastin e një drejtori në DSIK që sipas tij ka 3 kallëzime në Prokurori për shpërdorim detyre, vjedhje të fondeve dhe mitmarrje.
“I nderuar zoti kryeministër,
Unë që po ju shkruaj jam një nënpunës i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), institucion në varësinë tuaj, që për arsye sigurie po përdor një facebook tjetër pasi jam në monitorim të plotë.
Kjo për arsye se, Z.Arben Seferi, titullari i DSIK, nuk ka ndërmarrë asnjë reformë por përkundrazi ka marrë në mbrojtje Z.Ramadan Çaço, Drejtori Juridik në DSIK, i cili ka tre kallëzime në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shpërdorim detyre, vjedhje të fondeve shtetërore dhe mitmarrje”, i shkruan nënpunësi i DSIK kryeministrit Rama.
“Gjithashtu, Z. Çaço, është kallëzuar në Ministrinë e Financave (Drejtoria e Auditimit të Brendshëm) dhe Komisionerin për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil (KMSHC). Raportet paraprake të MF dhe KMSHC janë hartuar sipas shkeljeve që kanë konstatuar. Çuditërisht, këto raporte janë kthyer në rekomandime pas ndërhyrjeve që ka bërë Z.Seferi pranë këtyre institucioneve duke përdorur autoritetin tuaj”, i rrëfen nënpunësi kryeministrit.
Nënpunësi në varësi të Ramës, i sugjeron kryeministrit që të kërkojë informacion për këto raporte duke ngritur edhe disa pikëpyetje përmes të cilave në fund konkludon se me emrin e kryeministrit Rama, deri tani janë bërë manipulime.