Newsbomb.al ka mbyllur sot sondazhin për kandidatët e mundshëm që do të prezantohen nga partitë politike në zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015.
I publikuar më datë 6 mars në faqen e facebook të Newsbomb, për më shumë se një javë ky sondazh pati një ndikim të madh tek qytetarët të cilët kanë votuar masivisht, por edhe tek emrat e listuara aty. Fakti se për herë të parë kryhej një sondazh i tillë në Shqipëri, totalisht transparent për publikun dhe kandidatët, zgjoi më tej dëshirën për pjesëmarrje.
Ndonëse nuk munguan edhe tentativat për ndërhyrje nga jashtë në mënyrë që të ndryshohej rezultati i votimeve, stafi i Newsbomb e ka menaxhuar me sukses situatën.
Për bashkinë e Tiranës emri që ka kryesuar përgjatë gjithë kohës listën e PD-së, ka qenë ai i Grida Dumës me 38% të votave, duke lënë pas kreun aktual të bashkisë dhe liderin e kësaj force politike, Lulzim Bashën. Ndërsa tek PS, ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj ka mundur me 2% më shumë të votave ish-kryeministrin socialist Pandeli Majko. Artan Lame dhe Arben Ahmetaj kanë siguruar gjithashtu një shumë të konsiderueshme votash. Duket se gara e emrave tek PS është më e fortë në krahasim me kampin kundërshtar, ndërsa duhet theksuar gjithashtu se me emrat e paraqitur në listë, 20% votuesve janë shprehur kundër tek PD përkundrejt 6% tek PS-ja.
Rezultatet finale dhe të plota të sondazhit ndodhen tashmë të publikuara në faqen e facebook (newsbomb.al) dhe çdo qytetar mund të shikojë se si është votuar në bashkinë ku ai bën pjesë. Në këtë sondazh nuk ishin të përfshira të gjitha bashkitë e vendit, por vetëm ato në të cilat Newsbomb ka siguruar të dhëna të besueshme për emrat që kanë mundësi të larta për të qenë pjesë garës elektorale për zgjedhjet e 21 qershorit.
Rezultatet e sondazhit mund t’i shihni këtu: Rezultatet