Nga Akademia e VLLAZNISË në skenën e Bodybuilding, njihuni me ish-futbollistin shkodran që po “çmend” Tiranën me muskujt e tij

Publikuar tek: sport, më 08:50 19-09-2019 Nga Akademia e VLLAZNISË në skenën e Bodybuilding, njihuni me ish-futbollistin shkodran që po “çmend” Tiranën me muskujt e tij

Është i qeshur dhe karakterizohet nga humori tipik shkodran. Nuk është nga ata që të japin muhabet me të parën herë, por dalëngadalë arrin të miqësohesh me të. Ëndrrat janë bërë për t’u realizuar dhe kush tjetër më mirë se Xhulio Nikaj na e jep këtë shembull?

I lindur në Shkodër, i rritur në Akademinë e Vllaznisë, 22-vjeçari u pikas nga trajnerët e kuqebluve për potencën e tij.

Në moshën 8-vjeçare nisi të luante dhe të stërvitej me moshat e skuadrës shkodrane e deri 18-vjeç bëri gjithçka që të arrinte majën. Mirëpo në futbollin shqiptar është shumë e vështirë e për më tepër në Shkodër ku talentët janë të shumtë. Në mesfushë tregonte gjithmonë këmbëngulje dhe asnjëherë nuk pranonte të dilte nga fusha nëse do të humbte. Ka luajtur me një skuadër me Erald Çinarin që ky i fundit po shkëlqen te Partizani. Ishte brezi i lojtarëve të artë. Me batutë shokët e tij shkodranë shprehen: “Kur vinte nj’ai përballë, e hapnin tan portierat portën. Nuk mujte asnjani t’i priste gjujtjet e tij. Ishte i fortë boll”.

Karakteri i hekurt e ndoqi edhe jashtë fushës së blertë. Në moshën 18-vjeçare zgjodhi të hiqte dorë nga futbolli, por sigurisht nga ai profesionist sepse çdo javë nuk harron ta prekë edhe sot e kësaj dite topin me miqtë e tij. Kishte dëgjuar nga shumë vetë, që në ditën kur do të lërë sportin do të shohë disa kilogramë më shumë në trupin e tij. Pikërisht nga kjo u motivua dhe në ditën kur “vari këpucët në gozhdë”, nisi të stërvitej në palestër. Dalëngadalë, ditë pas dite pa ndryshime pozitive në trupin e tij. Kjo e shtyu më tej, të provonte të kalonte limitet e tij.

Pas 3-vitesh stërvitje intensive, Nikaj futbollisti ishte shndërruar në një djalosh të frikshëm dhe të bukur njëkohësisht plot muskuj. Zgjodhi të provonte skenën e Bodybuilding dhe arriti të dilte kampion për moshën e tij! Shkodra tashmë s’mund të mbante një kampion që ishte i uritur për të vijuar më tej. Ndaj, prej një viti është zhvendosur në kryeqytet, ku vijon përgatitjet intensive për garat e 5 tetorit. Sprovat për të nuk ekzistojnë. Ashtu si në fushë ku duhej të dilte gjithmonë fitimtar, edhe në skenën e Bodybuilding, Xhulio ka vetëm një objektiv: Kampion!

Konkurentët janë të shumtë, por ai s’i trembet askujt. Pjesë e skuadrës së Romeo Karabecit (Kampion i Bodybuilding, viti 2018), ekspertët flasin me superlativa për progresin e bërë nga 22-vjeçari. Mosha me fizikun duken se janë në konflikt me njëri-tjetrin. Kur kanë mbetur më pak se 20 ditë nga gara e këtij sezoni, Nikaj vazhdon të stërvitet intensivisht. Mundi dhe pasioni për këtë sport kanë thyer çdo lloj barriere në jetën e tij. Dikur hapte bukur topat në mesin e fushës, shkatërronte aksionet dhe drithëronte kundërshtarin me “perlat” e tij. Sot është momenti të “shpartallojë” rivalët në skenën e Bodybuilding. Gjithmonë i pakënaqur, në çdo kohë duke kërkuar më shumë nga vetja e tij, por në fund as më shumë e as më pak një kampion i arritur me mund dhe djersë. Ju prezantojmë Xhulio Nikajn, ish-futbollistin e Vllaznisë, njeriun e lindur për të fituar trofe. /Newsport.al/

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.16596007347107
array(1) { ["section"]=> string(130) "nga-akademia-e-vllaznise-ne-skenen-e-bodybuilding-njihuni-me-ish-futbollistin-shkodran-qe-po-cmend-tiranen-me-muskujt-e-tij-178973" }