Nga Ardian Vehbiu: ELITAT BELBËZUESE

Publikuar tek: aktualitet, më 11:14 30-01-2019 Nga Ardian Vehbiu: ELITAT BELBËZUESE Ardian Vehbiu

Ka nga ata, mes nesh, që nuk e zotërojnë shqipen publike, nuk e flasin as e shkruajnë mirë, nuk ia njohin dhe nuk ia përdorin regjistrat dhe stilet, e që megjithatë, të ndodhur përballë dikujt që flet në publik pa e zotëruar shqipen publike, thonë: “ky as shqipen nuk e dika ta flasë (ta shkruajë)”. Këta janë, për çudi, edhe BASTIONI I FUNDIT i kulturës shqip kundër shthurjes së pakthyeshme të hapësirës publike.

 

Them I FUNDIT, sepse pas tyre vijnë ata të tjerët, të cilët shqipen jo vetëm nuk dinë ta përdorin, por edhe nuk e kanë të qartë se çdo të thotë ta përdorësh mirë një gjuhë dhe ç’dallim ka kjo prej të folurit e gjuhës sate amtare. Dhe këtyre të tjerëve argumenti i të folurit mirë të shqipes nuk do të jetë më i vlefshëm, sepse nuk do të ketë më kuptim.

Këto javë e kemi dëgjuar shpesh, në mediat dhe në rrjetet sociale, kritikën për figura politike – të reja dhe të vjetra, të konsumuara dhe të pakonsumuara – se “as shqipen nuk e dinë.” Kjo e të folurit shqip mirë ende funksionon si guri i provës për fibrën e një lideri a politikani a intelektuali publik; sepse dëgjuesit këtë e kapin me intuitë. Dhe, gjithsesi, e kanë të qartë se të dish të flasësh mirë shqip nuk ka të bëjë aq me dallimin mes standardit dhe dialektit, sa ç’ka të bëjë me përkushtimin ndaj krijimit dhe mirëmbajtjes së një profili intelektual.

Pyetja lind vetiu: a po e mësojmë dot shqipen në shkollë në atë nivel që të mund ta përdorim publikisht pa ua trazuar ndjeshmërinë të tjerëve? Kjo pyetje vjen me një bisht nga mbrapa, sepse ia përcjell përgjegjësinë shkollës – e cila ka gjithnjë faj. Por pastaj, sa herë që të del përpara dikush që shqipen e flet bukur dhe rrjedhshëm, rrëzohet edhe alibia e shkollës: meqë ka njerëz që kanë arritur ta kapërcejnë këtë handicap.

Mangësitë në të folurit publik dëgjuesi i ndien edhe kur nuk i shpjegon dot; ose kur i shpjegon gabim, duke thirrur në vështrim dialektin, gjeografinë dhe varfërinë e kontekstit social përkatës. Por edhe nuk ka nevojë t’i shpjegojë – sepse i interpreton sakaq si provë se tjetri nuk e meriton t’i dalë publikut përpara, është i papërgatitur, i parafinuar, I PAGDHENDUR; pavarësisht nga eleganca në veshje, në mbathje dhe në mirëmbajtjen profesioniste të qimeve të trupit.

Disa prej atyre që NA flasin, sidomos nga ekrani, vijnë prej shkollave më të mira anembanë botës – me kredenciale akademike të pashembullta. Janë si të thuash gati të udhëheqin botën, por jo Shqipërinë. Dhe kjo sepse gjuha në të cilën u artikulohet mendimi nuk është SHQIPJA, ose gjuha e publikut që i voton, i mbështet dhe i paguan; por një gjuhë tjetër, zakonisht anglishtja (por edhe frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja).

E kam fjalën për figura publike që shqipen nuk e kanë studiuar më, që prej klasës së tetë.

E megjithatë, vihen të na flasin, me bindjen e papërligjur, madje të gabuar, se gjuha nënë nuk ka nevojë të studiohet; pa e kuptuar se ashtu mbeten në nivelin e atyre që gjuhën nënë nuk e kanë studiuar dot. Nuk ia njohin variantet, pasuritë, regjistrat; e flasin, por NUK DINË TA PËRDORIN.

U përkasin mendërisht kulturave të tjera; dhe, për më tepër, nuk arrijnë dot as të merren vesh mes tyre. Mund të qëllojë që brenda të njëjtit kabinet qeveritar, të përfaqësohen universitete dhe tradita akademike nga gjysma e botës. E kanë më të vështirë të gjejnë një gjuhë të përbashkët mes tyre, se diplomatët në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: mbase një përkthyes do t’u bënte punë.

Le ta pranojmë: dikush që ka studiuar në Oxford, në Harvard ose në Sorbonne, nuk ka pasur as kohë as mundësi ta rafinojë mendjen dhe të shprehurit me mjeshtrit e shqipes, dhe as ta vrasë mendjen së bashku me mjeshtrit e shqipes. Kjo do të thotë: NUK ËSHTË NË GJENDJE TA PARAQITË DHE TA RIPRODHOJË VETEN PUBLIKE NË SHQIP, NË NIVELIN QË IA KËRKON POSTI. Kur hap gojën, nuk është ai që flet, por klishetë që ka dëgjuar poshtë e lart. Subjekti i thëniezimit SHQIP (ose “drejtori i produksionit gjuhësor”) i ka mbetur në moshë të mitur, i papjekur, i paformuar, i vonuar, simplist, elementar. Dhe inteligjenca mbi mesataren, që pa dyshim këta e kanë, i bën që ta shmangin banalitetin total vetëm duke ua besuar ligjërimin e vet parafabrikateve – e dallojnë edhe ata vetë që po flasin keq, por kjo nuk mjafton, për t’i bërë të flasin mirë.

Ngaqë shqipen gjuhë publike nuk kanë mësuar ta përdorin dot, tani nuk u mbetet veçse të mësojnë të përdorin manifestimet e shqipes së gatshme, të cilat përftojnë rregullisht bullshit.

Prandaj jetës publike shqiptare i duhet urgjentisht një laborator ku të përpunohet dhe të rafinohet shqipja publike, në lartësinë e kohës dhe në vazhdën e traditës që, në këtë fushë, nuk është se na mungon krejt. Elitat politike të tanishme, si në Shqipëri si në Kosovë, me disa pak përjashtime të shënueshme, nuk kanë shpëtim – pse keqartikulimin e kanë pjesë intime të qenies dhe të aksionit të tyre politik; por të paktën të mos i lejojmë të krijojnë TRADITËN E TYRE të mjerimit ligjërimor.

Ardian Vehbiu © 2018, shkruar për Peizazhe të fjalës

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.029380798339844
array(1) { ["section"]=> string(42) "nga-ardian-vehbiu-elitat-belbezuese-150876" }