Ngjarja e Bulqizës që ndodhi gjatë mbledhjes së kutive të votimit duke u gdhirë mëngjesi i datës 22 qershor ka vënë në pranga dy persona, Vebi Gjini, 51 vjeç nga fshati Gjuras rrethi Bulqizë dhe Rrushdi Sula 46 vjeç po nga i njëjti fshat.
Policia lajmëron se ka kryer hetimet për rastin dhe në orën 17.00 të ditës së sotme vunë në pranga dy personat e mësipërm nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës, kryer në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të kodit penal.
Dy shtetasit janë kryetari dhe sekretari i Komisionit të qendrës së votimit nr.1067 që ishte në fshatin Gjuras të rrethit Bulqizë dhe në bashkëpunim mes tyre në kundërshtim me ligjin zgjedhor, kanë transportuar materialet zgjedhore, nga qendra e votimit për në KZAZ-Bulqizë me një automjet privat, të paautorizuar nga KZAZ –Bulqizë.
Kjo makinë u sulmua në mbrëmje nga militantët. PD dhe LSI akuzuan njëra tjetrën për dhunën e ushtruar, ndërkohë që policia vuri menjëherë në mbrojtje këtë kuti votimi. Ndërkaq, pritet që prokuroria të bëjë hetime të mëtejshme për ngjarjen.