“Djalin tim e rrahën dhe na tha se e kishin rrahur të afërmit e vajzës me të cilën ka qenë i fejuar 7 vite më parë”. Kjo është arsyeja që Xhevrije Aluku ka dhënë për krimin e kryer nga djali i saj, Altin Aluku, i cili ekzekutoi, ish vjehrrin Lutfi Xhaferri dhe plagosi bashkëshorten e tij, Naime Xhaferrin.
“Nuk e di ç’të them për këtë veprim të tij. Para dy muajsh djalin tim e rrahën në rrugë, teksa ishte duke u kthyer nga një ditëlindje e shokut të tij. Kur erdhi në shtëpi, e kishin masakruar. Ka ndejur në shtëpi pa dalë për rreth dy muaj, madje e rrahura kishte edhe hemoragji herë pas here. Djali na tha në atë kohë se e kishin rrahur të afërmit e vajzës me të cilën kishte qenë i fejuar dhe ne kemi dyshimet tona, sepse kur u nda djali im edhe vajza e Lutfiut, daja i vajzës ka ardhur ë shtëpinë tonë dhe ka thënë se nuk do të linte hakun pa marrë për këtë histori” , rrëfen nëna e autorit Xhevrije Aluku në “GSH”.
Nëna tregon se një natë para ngjarjes i biri ka konsumuar tërë natën alkool, por nuk ka treguar se çfarë plani po përgatiste.
“As na e kishte përmendur se çfarë do të bënte. Gjithë natën para ngjarjes ka ndenjur në kuzhinë duke pirë raki dhe në mëngjes ka marrë armën, që nuk e di se ku e ka gjetur, dhe ka shkuar atje. Unë lajmin e mora vesh vetëm kur më erdhi policia në shtëpi” , shprehet e moshuara.
Pas kësaj ngjarje në Kodër-Kashar, policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit Altin Aluku, si dhe ka arrestuar kryefamiljarin e familjes Skënderin, pasi ka gjetur fishekë në banesën e tij.
Policia po heton për zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj ngjarje.