Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në ceremoninë shtatores së Ismail Qemalit në Prishtinë. Rama tha se ashtu siç erdhi Isa Boletini në Vlorë, po aq i gjallë vjen edhe Ismail Qemali në Prishtinë.
“Sot në Kosovën e lirë dhe të mosvarme Ismail Qemali vjen me këmbët e veta të prehet me shpirtin e tij rrezatues në këtë tokë të mosvarme njëherë e përjetë”, tha Rama në fjalën e tij të rastit.
As në këtë ceremoni kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer deklaratat nacionaliste. Ai i’u ka kërkuar sërish shteteve fqinje si Maqedonia dhe Serbia “të mbajnë fjalën” dhe të respektojnë të drejtat e shqiptarëve.
Kryeministri Rama ka sqaruar edhe njëherë se shqiptarët nuk kanë pretendime për bashkim territorial “ përveç si kulmim i bashkimit shpirtëror në BE dhe kurrsesi si përçmim ndaj fqinjëve dhe duhet që dhe me ato të bashkohemi në çatinë e Europës”, tha Rama.