Furnizimi me ujë të pijshëm për rreth 300 mijë banorë të kryeqytetit po merr zgjidhje.
“Është një nga linjat kryesore që furnizon me ujë gjithë Tiranën. Është një investim i cili bëhet për të zëvendësuar tubacione që Tirana i ka pasur që nga viti 1958, kur këtu jetonin më pak se 100 mijë banorë, ndërkohë që sot ka 10-fishin e popullsisë. Kuptohet lehtë se këto tubacionet nuk ia dalin të furnizojnë Tiranën me 24 orë ujë të pijshëm, le pastaj të ofrojë shërbime”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës siguroi qytetarët se të gjitha të ardhurat e mbledhura nga faturat e ujit të pijshëm shkojnë për më shumë investime në përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.
“Çdo qindarkë që paguhet për Ujësjellësin e Tiranës shkon për investime. Do të vijojmë me këtë investim gjatë gjithë verës pa ndërprerje, pavarësisht se ka zgjedhje, pavarësisht se ka pushime, pavarësisht temperaturave të larta, sepse gjykojmë se është shumë e rëndësishme që këtë projekt strategjik, i cili furnizon 300 mijë qytetarë të Tiranës me ujë, dy herë më shumë se sa ai që kishim, është i një rëndësie të veçantë”, u shpreh ai.