Visar Zhiti nuk do të shkojë në Vatikan dhe asnjë ambasador tjetër nuk do të emërohet nëse qeveria nuk i konsulton më parë me kreun e shtetit. Kjo është ajo çfarë ka deklaruar Presidenti i Republikës Bujar Nishani gjatë një interviste për Abc News.
Nishani është shprehur prerë se asnjë ambasador nuk do të emërohet prej tij, nëse qeveria nuk e konsulton më parë me të kandidaturën. Sipas tij, ky është detyrim kushtetues dhe kërkon që të respektohet.
Duke folur për emrin e Visar Zhitit, i cili është propozuar nga qeveria si kandidat për ambasador në shtetin e Vatikanit, presidenti tha se shkrimtari i njohur nuk është personi i duhur që mund të përfaqësoj Shqipërinë në Selinë e Shenjtë.
Nishani e ka komentuar të nxituar deklaratën e Zhitit për inkuizicion nga kisha, duke thënë se kjo mund të krijojë probleme në Vatikan.
Kreu i shtetit ka thënë gjithashtu se për Visar Zhitin ekzistojnë mundësi të tjera për tu emëruar si ambasador, përkatësisht në ambasadën e Shqipërisë në Romë, Paris apo në konsullatën e Përgjithshme në Milano.
Emri i Visar Zhitit për ambasador në Vatikan ka marrë mbështetjen si të qeverisë ashtu edhe të opozitës, duke kujtuar se pak ditë më parë deputetë të PD-së kanë kërkuar publikisht nga presidenti Nishani dekretimin e tij.