Një hap larg emërimit në SPAK, Anton Martini nesër në Vetting: Dosjet më të bujshme që ka hetuar Prokurori ‘i hekurt’

Publikuar tek: aktualitet, më 21:26 09-12-2019 Një hap larg emërimit në SPAK, Anton Martini nesër në Vetting: Dosjet më të bujshme që ka hetuar Prokurori ‘i hekurt’ Prokurori i Krimeve te Renda Anton Martini

Prokurori i Krimeve të Rënda Anton Martini do të përballet nesër me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (i njohur si sistemi i vettingu), ndërsa cilësohet si prokurori ‘i hekurt’ për shkak të dosjeve të bujshme që ka hetuar.

Vettingu është procesi i fundit që Anton Martioni duhet të kalojë që të marrë më pas konfirmimin nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si kandidat për tu bërë pjesë e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), e cila do të hetojë zyrtarët e niveleve më të larta. Prokurori Anton Martini e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe është emëruar prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2004.

Anton Martini cilësohet si prokurori ‘i hekurt’ pasi gjatë karrierës së tij ka hetuar dhe ka çuar para Gjykatës anëtarët e bandave kriminale më të fuqishme në vend, si banda e Lushnjes e drejtuar Aldo Bare, banda e Cërrikut e drejtuar nga Met Bozi dhe Rolnad Xhepexhiu, banda e Durrësit e drejtuar nga Lul Berisha si dhe banda e drogës e Met Kananit, i dënuar në SHBA për trafik droge.

Po ashtu, Prokurori i Krimeve të Rënda Anton Martini Anton Martini ka hetuar dhe ka çuar para Gjykatës Arben Frrokun, vëllai i ish-deputetit Mark Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Anton Martini ka regjistruar edhe dosjen e famshme ‘339’, për bandën e Avdylajve në Shijak, nga e cila doli edhe çështja e blerjes së votave.

Prokurori ‘i hekurt’ i Krimeve të Rënda ka pasur në dorë dhe dosjen e Lazaratit dhe në dhjetor të 2015 para se të transferohej në Shkodër nga Adriatik Llalla, ka kërkuar 110 vite burg për Gate Mahmuatajn dhe bandën e tij të drogës. Vendimin e Llallës Anton Martini e konsideroi të parregullt dhe në vitin 2018 u rikthye sërish si prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Aktualisht, Anton Martini së bashku me prokurorin Besim Hajdarmataj kanë në dorë dosjen dhe po drejtojnë hetimet për atentatin ndaj prokrorit të Durrësit Arjan Ndoja, ku u plagos ky i fundit dhe Landi Muharremi, ndërsa humbi jetën shoferi i tij Andi Maloku.

Prokurori Anton Martini është renditur i dyti nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) dhe për të marrë emërimin, atij i duhet të kalojë si barrierë të fundit procesin e vetingut në të dy shkallët.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0077841281890869
array(1) { ["section"]=> string(120) "nje-hap-larg-emerimit-ne-spak-anton-martini-neser-ne-vetting-dosjet-me-te-bujshme-qe-ka-hetuar-prokurori-i-hekurt-188908" }