Një pikë djersë e Aurelës, që shpëlan çdo grimcë bezdie e mërzie

Publikuar tek: fcb-bomb, më 14:13 15-04-2019 Një pikë djersë e Aurelës, që shpëlan çdo grimcë bezdie e mërzie

Nga Zefina Hasani

 

Tirana ishte në kaos e si në shtetrrethim të shtunën e protestës opozitare. Policia dhe zgarat ndaluese të hekurit nëpër rrugë, duke të të kufizuar zgjedhjet se nga mund të kaloje, të bllokonin çdo dëshirë e nerv për të vijuar me planet e jetës së natës, aq sa nëse arsyeja s’do të kishte qenë ditëlindja e një shoku, mund ta shaje pa teklif veten, se pse dreqin zgjodhe të dalësh pikërisht në një natë të tillë.

Kur më në fund e çan rrethimin, e lë pas kaosin e qendrës së kryeqytetit, arrin destinacionin e jetës së natës dhe gjendesh përballë Aurela Gaçes, fare pranë skenës së saj, ndjehesh sikur i përket një tjetër të shtune, asaj normales, siç duhet të jetë përherë.

Kur Aurela nis të këndojë zhytesh e tëra në energjinë e saj. Harron që je në një klub të zakonshëm nate, sepse në fakt spektakli i saj merr që në sekondin e parë të shfaqjes në atë skenë të vogël, përmasat e një recitali të madh, e një reality-show, për të cilin çdonjëri prej të pranishmëve do të duhej të kishte paguar një biletë të shtrenjtë, aq sa e meriton të blihet arti që vetëm ajo di ta bëjë e që në fakt Aurela ta ofron free. Duke kënduar traditën e çdo treve shqiptare, të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë; duke i recituar e kënduar vlerave të gjuhës shqipe e Shqipërisë, deri dhe në notat më të larta që e shndërrojnë në përmasat e një sopranoje; duke sjellë në skenë jo vetëm hitet e saj por dhe muzikën më të ëmbël e romantike të Celin Dion e Adele e më të çmendur të Bon Jovit, AC/ DC e të kush e mban mend se kujt tjetër... Spektakli i saj është no limits, është çdo herë një surprizë që të mbush shpirtin, është gjithmonë një festë masive ku këndojnë, kërcejnë e përcjellin mesazhe dashurie të gjithë (atë të shtunë një djalë i propozoi të dashurës së tij për martesë, mu aty në skenë, pas “grackës”që iu ngrit vajzës nga vetë Aurela), një fakt i padiskutueshëm se kur në Tiranën e kontraditës, diku protestohet, diku tjetër festohet po aq fort.

Kur nëpër rrugët e kryeqytetit kaosi i protestës, policia dhe zgarat e hekurit të bezdisin e nervozojnë aq sa të shash veten pa teklif se pse dreqin zgjodhe një natë të tillë për të dalë, aty përballë Aurela Gaçes, jo vetëm që nuk e shan më veten por e uron edhe më me shpirt shokun që të ftoi ta festosh pikërisht aty ditëlindjen e tij.

Ndjehesh e shpëlarë nga çdo grimcë mërzie sapo të lag e para pikë djerse e Aurelës, që shkrihet e tëra duke kënduar e kërcyer deri në tingullin e fundit të asaj nate, që përsëritet çdo fundjavë atje në mbretërinë e saj. Që s’është thjesht një klub, por një arenë ku shijohet recital live, për të cilin duhet ta paguajmë shumë më shumë atë djersë të Aurelës, që rrjedh çurg derisa ajo largohet duke na lënë me shpirtin plot e tingujt e “Fati ynë shpresë e marrëzi” si motivin për kthimin e ëmbël në shtëpi, nëpër rrugët me polici e zgara hekuri.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0065751075744629
array(1) { ["section"]=> string(70) "nje-pike-djerse-e-aureles-qe-shpelan-cdo-grimce-bezdie-e-merzie-160513" }