Njeriu po shkon drejt robotizimit

Publikuar tek: bota, më 20:37 17-04-2016 Njeriu po shkon drejt robotizimit

Falë pajisjeve që bëjnë të mundur komunikimin tru-kompjuter, personat me aftësi të kufizuara dhe paraplegjikët mund të kontrollojnë pjesën e tyre bionike me anë të trurit. Dora dhe këmba e bërë plotësisht bionike e kontrolluar nga truri u prezantua në vitin 2013 …

Që nga filmi “Njeriu gjashtë milionë dollarë”, te filmi “Inspektori Gadxhet”, deri te “Robokopi”, njerëzit me pjesë bionike në trup janë bërë të zakonshëm në kinematografi. Në botën reale, ne i përdorim pjesët e robotizuara për të zëvendësuar pjesë të trupit, në mënyrë që tërësia jonë të funksionojë normalisht.

Është veçori e kinematografisë që njerëzit me pjesë robotike t’u japin fuqi mbinjerëzore. E ndoshta e ardhmja e njerëzve-robotë do të jetë e bazuar në të tillë ide.

Agjencia e projektimit të kërkimit të përparuar të mbrojtjes (DARPA) po planifikon që të krijojë një tru artificial, i cili do të ndërfutet brenda njeriut dhe do ta lidhë atë me kompjuterin.

Nën administratën e Obamës për “Nisma truri”, DARPA ka zhvilluar tetë programe të krijuara për të rritur aftësitë konjitive dhe fizike njerëzore. Programi i Dizajnimit të Sistemit Inxhinerik Neural kërkon që të lidhë ndasinë bioelektrike nëpërmjet një implanti të vogël që ka funksionin e një përkthyesi midis trurit dhe botës dixhitale, duke iu dhënë njerëzve pamje dhe dëgjim më të mirë.

Një nga teknologjitë e tjera të DARPA-s ka të bëjë me nanoteknologjinë ose zhvillimin e robotëve të vegjël mikroskopikë, të cilët do të përdoren për të riparuar organet. Një tjetër ide është një pajisje teknologjike brenda në kafkë për memorien, e cila do të shërbejë për krijim e rikujtim të informacionit dhe sensorë që mund të mbledhin informacionin nga sistemi nervor i trupit, në një përqindje të nevojshme për të kontrolluar makinat.

Me këto ide, edhe personat me gjymtyrë të humbura, do të mund të ndiejnë prapë ndjesinë e prekjes, pavarësisht faktit se ata do të kenë të bashkuara në trup pjesë artificiale.

Falë pajisjeve që bëjnë të mundur komunikimin tru-kompjuter, personat me aftësi të kufizuara dhe paraplegjikët mund të kontrollojnë pjesën e tyre bionike me anë të trurit.

Dora dhe këmba e bërë plotësisht bionike e kontrolluar nga truri u prezantua në vitin 2013 dhe një vit më vonë, një person që kishte humbur të dyja duart, arriti që t’i kontrollonte me anë të trurit gjymtyrët e tij të reja bionike.

Skeletet e zgjuara të tipit “Ironman” përdorin teknologji të ngjashme për të përkthyer sinjalet e trurit e për t’i vënë ato në lëvizje.

Kupa e Botës e vitit 2014 nisi me një paraplegjik, i cili u ngrit në këmbë dhe goditi topin për të lajmëruar fillimin e kompeticionit.

Por në 2014-n, ushtria amerikane nisi që të testojë skeletin e saj të zgjuar TALOS, i cili i ngjan atij modeli të parë në filmin “Skaji i së nesërmes”, dhe rrit forcën e shqisat e atyre që e mbajnë, ndërkohë që monitoron shenjat jetësore.

Edhe NASA krijoi një skelet të zgjuar për të ndihmuar astronautët që të stërviten për misione hapësinore dhe të kryejnë ushtrime në një ambient larg Tokës.

Teknologjitë bionike, ku përshihen edhe veshët e sytë, u krijuan për të rikthyer funksionalitetin e personave që kanë përjetuar trauma, dëmtim apo sëmundje.

Por s’do të jetë e largët koha kur njerëzit me të tilla pajisje do të kenë aftësi më të mëdha sesa ata që nuk do i mbajnë.

Përpara se jeta e atletit afrikanojugor Oscar Pistorius të merrte një kthesë të dhembshme, ai me këmbët e tij proteza, të krijuara nga fibrat e karbonit e në formë tehu, bëri diferencën në lojërat paralimpike, madje donte të garonte edhe në Olimpiadë.

E gjitha kjo, sepse protezat i dhanë avantazh krahasuar me të tjerët. Por autoritetet e ndaluan, pasi, sipas tyre, ai kishte përparësi artificiale. Ky pezullim u hoq në 2007-n, pas raportit të ekspertëve që siguronin se protezat i lejonin Pistorius-it që të përdorte 25% më pak energji se atletët e tjerë.

Në 2008-n, ai për pak nuk arriti të regjistrohej në Olimpiadë, kurse në 2012-n u eliminuan në gjysmëfinale. Por përdorimi i këtyre protezave bionike, u kanë dhënë mundësi të madhe atletëve që kanë pësuar aksidente. Përdorimi i tyre është bërë masiv. Në Cyrih, në garën e Cybathlon-it, do të garojnë atletë me gjymtyrë të ndërtuara, që do të përdorin proteza.

Teknologjia robotike nuk ndalet me kaq. Shkenca ka shkuar deri aty sa t’u japë mundësinë personave që nuk dallojnë ngjyrat, që t’i dëgjojnë ato.

Neil Harbisson i dëgjon ngjyrat, nëpërmjet një mekanizmi të ndërfutur në kafkën e tij. Pasi kamera i regjistron imazhet, ato përkthehen nga aparatura në frekuenca tingulli.

Shtetasi britanik i mori mjetet e identifikimit duke mbajtur këtë pajisje dhe është i pari njeri me pjesë robotike të ndërfutura në Britaninë e Madhe që i lejohet diçka e tillë, pasi është pjesë e tij.

Harbisson-i tregon se njerëzit me pajime artificiale gjenden në telashe dhe nuk janë të mbrojtur nga ligji. Ka pasur raste kur ata janë sulmuar, pasi problemi i tyre është keqkuptuar nga njerëzit

Njerëzit prej një kohe të gjatë e kanë përdorur teknologjinë për të rritur aftësitë e tyre. Ne mbajmë veshur syze dhe lente kontakti, zëvendësojmë gjunjët dhe kockat kockore me titan dhe mbështetemi te pajisje të tjera për të rregulluar rrahjet e zemrës. Duke qenë se smartfonët tanë janë thuajse të ngjitur në duart tona, është me vend të pyesim nëse ne jemi kthyer në njerëz robotë tashmë. Si do të na ndryshojë shkrirja me makinat? Duke u bazuar te shprehja: “I gjithë progresi është ndryshim, por jo i gjithë ndryshimi është progres”, koha do të tregojë se cila prej këtyre dy alternativave do të ndodhë. /Gazeta Shqip/

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.020943880081177
array(1) { ["section"]=> string(39) "njeriu-po-shkon-drejt-robotizimit-37929" }