Nuk ‘ikin nga atdheu’, por ‘i ikin atdheut’

Publikuar tek: fcb-bomb, më 10:05 27-01-2020 Nuk ‘ikin nga atdheu’, por ‘i ikin atdheut’ Edmond Arizaj

Nga Edmond Arizaj

Ka goxha patetizëm tek ata që i përbetohen Shqipërisë me fjalë se nuk do ta braktisin, se do ta duan në përjetësi, se do të përpiqen që ajo të mbrodhesojë e të progresojë. Nuk guxoj aspak të mendoj qoftë edhe një sekondë se shumica e betimeve dhe përbetimeve nuk kanë dalë nga zemra. Por ja që dashurinë ndaj vendit unë nuk e shoh tek lëvdimi i Diellit, pyjeve, maleve, detit, historisë, e arkeologjisë. Këto janë cilësi për t’u prishur mendjen turistëve.

Nuk mund t’i themi një shqiptari në Kukës “mos u nis” sepse në Vlorë mund të bësh plazh në një det blu-jeshil; po një fieraku a guxon t’i thuash “mos pri biletën” sepse ku do gjesh kënaqësi më të madhe se Valbona në Tropojë; a një tiransi t’i klithesh “ndal” se dëborën e Dardhës s’do e shohësh kund...S’mund t’ia thuash këto nje shqiptari. As të pretendosh se ti që nuk leviz prej vendit, e do më shumë Shqipërinë se ai/ajo që zhvendoset diku tjeter. Madje jam i sigurtë se ata qe kanë ikur kanë qenë shumë herë më të dobishëm për vendin se ata që kanë qenë këtu. Minimalisht, prej mëse 30 vjetesh, një pjesë e mirë e Shqiperisë mbijeton nga paratë e emigranteve.

Nese do të vazhdoja me cinizmin, do të shtoja se asnjë nga ata që ka ikur nuk ka “pasur dorë” në shkatërrimin e vendit, në shtimin e korrupsionit, në mosdënimin e hajdutëve qeveritarë, në rritjen e varfërisë, në shkatërrimin e familjes, në disnivelin e frikshëm social, në prapambetjen e rendë kulturore, në fuqizimin e idiotësisë, në vdekjen pa lindur të meritokracisë, në përqafimin kolektiv të mashtrimit politik, në dashurinë e pakushtëzuar kundrejt se padrejtës, në drithërimën shpirtërore kundrejt parasë, në absurdin gjigand se injoranca mund të japë leksione në çdo fushë, në vetëdijen kolektive “jam më i mirë se kushdo, ndaj jam mbi këdo, e bej çfarë dua”...Jo vetëm kaq. Por ata që ikin, pikërisht nga këto duan të shpëtojnë më shumë. Si mund ta bësh të qëndrojë?! Si?! Kur nuk i jep asnjë rreze drite? Kur mijëra shqiptarë modelin kryesor të mallëngjimit dhe solidaritetit kanë atë të lypësit që vjen në formën e lotëve të dikujt pa shtëpi, që falenderon përulësisht bamirësin e veshur shik qe i con disa qeska me ushqime.

 Kur nga mëngjesi deri në darkë duhet të hasesh e të përballesh me lloj lloj fundërrinash e gjoksdalësh, qe ecin duke peshuar sa në një kembë në këmbën tjetër, që flasin rëndë rëndë, që të shohin nga karrigia ku jane ulur si Kaligula nga froni. Si pra? Ca thonë, hajde protestojmë. E thonë pasi në mëngjes kanë hedhur plehrat në oborr, kanë ndërhyrë tek mësuesja për një notë të mirë fëmijës, kanë mbushur xhepin e zyrtarit për legalizimin e ndërtimit pa leje, kanë parkuar makinën dyshe, i kanë futur mjekut nje shuk parash ne xhep për një operacion dhe teksa ulen për kafe theshethemojnë se ai “ndyresira” kërkoi para.

Këto vetëm në një ditë...Patetizmat me atdhedashurinë kur ajrin ta mbrojne grekët e ushqimet t’i sjellin serbet, sikur nuk shkojnë. Aq më pak me rrëfimet për lumenjtë qe po i shterojnë me hidrocentrale, me pyjet që po i sharrojnë, e me detin që e mbytën me ndërtime pa leje. Unë vazhdoj të besoj se vendit i shërben kushdo, kudo qoftë; mjafton të respektojë tjetrin, të tregojë qytetari, e të bëjë punën e tij pa hile e pa menduar të përfitoje prej saj. Po ta mendojmë thellë-thellë, mijëra e mijëra shqiptarë nuk “ikin nga atdheu”, por “i ikin atdheut”. Njësoj sikur shpëtojnë prej rrjetave të tij, pikërisht për të gjetur një mundësi për ta ndihmuar të shpëtoje ai prej rrjetave.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.024250984191895
array(1) { ["section"]=> string(45) "nuk-ikin-nga-atdheu-por-i-ikin-atdheut-193258" }