“Nuk jemi në kushte normale”. Kështu ritheksoi deputetja e rëndësishme në Partinë Demokratike Jozefina Topalli nga çadra e protestës së PD që sot ka hyrë në ditën e pestë. Topalli iu përgjigj edhe eurodeputetit të Parlamentit Europian Knut Fleckenstein lidhur me deklaratën ultimative ndaj Berishës që sipas tij duhet “të rreshtë me përallën sorrosiane”.
“Mendojmë se jetojmë në liri, dhe askush s’mund t’i thotë askujt ç’duhet të thotë”, deklaroi Topalli ndërsa lidhur me thirrjen e eurodeputetit që PD-ja të kthehet në komisione, Topalli tha se qytetarët i dinë më mirë hallet e veta.
“Nuk jemi në kushte normale, është një zgjedhje që as mua nuk më pëlqen , është një mënyrë për të tërhequr vëmendjen, a mund të bëjmë ne sikur në Shqipëri nuk po ndodh asgjë, në kushtet kur "Hakmarrja për Drejtësi" na jep leksion si duhet të bëjmë drejtësi?! Është të ulërasësh në fakt....
Shikoni fytyrat e këtyre që janë këtu, a gjeni shpresë? Është një dhimbje e madhe që gjërat s’ecin më kështu. Në bazë të raporteve ndërkombëtare, varfëria ekstreme është katërfishuar.
Ne dëgjojmë me shumë respekt këdo që flet e mendojnë mirë për vendin tonë por këta qytetarë e dini cila është vuajtja e tyre. Nuk jemi në kushte normale. Mendojmë se jetojmë në liri, dhe askush s’mund t’i thotë askujt ç’duhet të thotë. Këtë e kemi kaluar në kohën e Enver Hoxhës ”, u shpreh ishkryeparlamentarja.