Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili vijon të përforcojë idenë se mbajtja e maskës nuk ul mundësinë e infektimit me Covid-19, madje thotë se numri i viktimave është shtuar dhe nuk tregohet.
Në një intervistë në “Rtv Ora”, Vasili interpretoi edhe vendimin e mbylljes pas orës 22:00.
Ai ngriti alarmin se kjo ka rritur rastet për shkak të keqmenaxhimit të situatës, teksa shton se edhe vdekjet janë 4-fishuar por askush nuk flet për këtë pjesë.
"Maska është një mjet i fundit pas testim, trajtim, gjurmim, disinfektim dhe distancim fizik. Pa efektivitetin e tyre maska nuk ka asnjë vlerë. U dëgjouan shumë komente, por kur u vendos mbajtja e maskave me zor, kishim 203 raste në ditë. Pas aplikimit të gjobave, arritën të kemi më shumë se 800 raste në ditë. Një qytetar i zakonshëm në fund shikon që pas vendosjes së maskës, rriten 4 herë numri i të prekurve. Kuptojmë që në mekanizmin e menaxhimit të pandemisë, gjërat nuk shkojnë si duhet dhe nuk kemi administrim profesional, por administrim politik.
Që të luftojmë një fenomen duhet ta njohim. Si do ta luftojmë nëse nuk testojmë? Disa ditë më parë kryeministri tha se lobet farmaceutike janë ato që stimulojnë fjalën “Bëni testime”. Vdekjet në Shqipëri janë katërfishuar, pavarësisht se nuk diskutohen,” përfundoi Vasili.