“O ba të lutem, zbrit poshtë, o ba të lutem...”. Janë këto lutjet e vogëlshes që mes të qarash i kërkon të atit të zbresë nga maja e oxhakut të rafinerisë së naftës në Fier nga ku kërcëon se do të hidhet prej orësh të tëra. Në vendin e ngjarjes është edhe djali tjetër dhe bashkëshortja e punonjësit që i luten gjithashtu të zbresë.
Punonjësi i identifikuar si Agim Mydini, 50 vjeç thotë se do vetëhidhet. Myrdini është ngjitur që në orët e para të mëngjesit në 40 metra lartësi duke përdorur një litar për t’u ngjitur. Arsyeja që e ka shtyrë 50 vjeçarin drejt këtij akti raportohet të jetë paga e pamarrë prej 4 muajsh.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat policore që po mundohen të qetësojnë punonjësin dhe të negociojnë me të për ta bindur që të zbresë. Ai mban në dorë edhe një shishe me benzinë dhe kërcënon se do lyhet me lëndën djegëse. Të tjerë punonjës janë duke protestuar me 50 vjeçarin ndërsa krahas pagave, punonjësit e rafinerisë kanë 18 muaj që punojnë pa siguracione.