O KANDIDAT, O LLUM!

Publikuar tek: pa-stres, më 10:51 06-04-2019 O KANDIDAT, O LLUM!

Nga Edi Oga ekskluzivisht për newsbomb.al- *Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i këtij materiali

Po afrojnë zgjedhjet dhe kandidatë nga 'dy plus një' partitë më të mëdha, po bëhen gati për 'luftë'.

Kandidatët për kryetarë bashkie, si rregull janë njerëz si unë e si ti, por të etur për pasuri të madhe dhe pasurim të shpejtë. Ata janë të pajisur me 'virtyte' të cilat i zbulojnë pak nga pak gjatë mandatit. Sigurisht që midis tyre fshihet edhe ndonjë njeri i mirë. Zakonisht ky nuk fiton. Edhe nëse fiton, nuk reziston.

Kandidati për të cilin do t'ju flas, ka vite që punon për këtë ditë. Ditën që kryetari e prezantoi përpara turmës, dikush nga rreshtat e mesit i thirri:

'O katunar!'

I iku mendja! Ai kishte vite që punonte për ta hequr nga vetja këtë 'njollë'. Kishte tërhequr gjithë fisin nga fshati dhe i kishte sjellë në qytet. I kishte ndaluar ata të shtëpisë të takonin në rrugë njerëz me veshje fshati. Kishte djegur të gjitha fotot e fëmijërisë, të vetat dhe të fisit, që e lidhnin me fshatin.

E kapërdiu këtë dhe u ngërdhesh sikur buzëqeshte! Pas pak një tjetër ia pat:

"O injorant!"

I iku mendja! Ai kishte vite që punonte për ta hequr nga vetja këtë 'njollë'. Kishte blerë me rradhë një diplomë masteri, një baçelor dhe pastaj një diplomë gjimnazi. Kishte siguruar edhe dy dëshmi gjuhësh të huaja dhe një për kompiuter.                                                     

E kapërdiu edhe këtë dhe u ngërdhesh sikur buzëqeshte! Pas pak një tjetër ia pat:

'O i shëmtuar!'

I iku mendja! Ai kishte vite që punonte për ta hequr nga vetja këtë "njollë".

Kishte mbushur disa nga dhëmbët e prishur, kishte kuruar erën e keqe të gojës, ishte depiluar, ishte trajtuar për të eleminuar erën e rëndë të djersës, bënte trajtime për fytyrën e kuqe me puçra me dhe pa qelb, vishte këpucë speciale që të mos i dukej të çaluarit. Dakord, ishte me bark të fryrë dhe me qafë të trashë, por ishte burrë dhe burri që nuk pi raki me burra dy herë në ditë nuk i duhej kujt!

E kapërdiu edhe këtë dhe u ngërdhesh sikur buzëqeshte! Pas pak një tjetër ia pat:

'O llum!'

Këtë nuk e kapërdiu dhe iu kthye atij që e shau:

'Kjo është e rëndë or ti mik! Pse ma thua këtë?!'

'Po ty kush të vuri dhe të mbështet, o kandidat?'

'Kryetari i partisë!'

'Po pra...!'

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « SI U BËRA DREJTOR!
»
Article Logic
Execution time: 0.0067660808563232
array(1) { ["section"]=> string(24) "o-kandidat-o-llum-159380" }