Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ditën e djeshme ka përgëzuar qytetin kinez të Wuhanit që tashmë nuk ka asnjë rast të rëndë me Covid-19.
Maria van Kerkhove, drejtuesja teknike e Programit të Shëndetit të Emergjencave në OBSH, tha se Wuhan nuk më asnjë rast të rëndë me koronavirus dhe ky është një lajm i mirë.
'Është një lajm shumë i mirë që nuk ka raste të rënda nga Wuhan. Ai qytet ka pasur goditjen më të hershme. Nuk mund të shpreh asgjë tjetër përveç admirimit dhe faleminderit për përpjekjet e palodhshme të popullit të Wuhanit", tha van Kerkhove.
Ajo gjithashtu ka vlerësuar përpjekjen e qytetarëve kinezë të cilët rrespektuan masat dhe qëndruan në shtëpi, raporton CNN.
Si duket, Kina ka arritur ta fitojë betejën me virusin pasi gjatë 24 orëve komisioni i Shëndetit në Kinë ka raportuar vetëm një rast të ri me koronavirus dhe asnjë viktimë për të katërtën ditë radhazi.
Kujtojmë që deri më tani, në Kinë janë shënuar 4,633 viktima nga Covid-19 dhe 82,875 të infektuar.