Shkodër- Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër finalizuan me sukses operacionin "Limitless-2" ku u bë i mundur arrestimi i shtetasit Gjon Marashi, 62 vjeç, u sekuestruan 37 kg lëndë narkotike, 194 gram farë e bimës narkotike, 9 granata dore e 3 krehëra fishekësh, si dhe u asgjesuan 264 fidanë bimë narkotike cannabis sativa.
Sipas burimeve nga policia, arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në datë 25.04.2017, nga kontrolli i ushtruar në lagjen Gag, në fshatin Gimaj, të Njësisë Administrative Shalë, në oborrin e banesës së shtetasit Gjon Marashi janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 37 kg lëndë në gjendje të tharë e dyshuar narkotike Cannabis Sattiva.
194 gramë farë bime të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva, 9 (nëntë) granata dore, 3 (tre) krëhëra arme luftarake.
Gjithashtu në një distancë rreth 500 metra larg banesës janë gjetur të hapura dy parcela në të cilën ishin 88 gropa me nga tre fidanë, gjithsej 264 fidanë të dyshuar cannabis sativa.
Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim policor në lidhje me ngjarjen e datës 20.04.2017 gjatë operacionit të koduar LIMITLESS.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve”, të parashikuara nga nenet 284, 283 dhe 278 të Kodit Penal.