Opozita duhet ta shohë vetveten në sy, është koha që t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje!

Publikuar tek: analiza-komente, më 17:45 20-06-2019 Opozita duhet ta shohë vetveten në sy, është koha që t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje! Namir Lapardhaja

Nga Namir Lapardhaja

Shqipëria është duke kaluar një ëndërr të mynxyrshme. Përjashto vitin e tmerrshëm ’97, i cili u rri shqiptarëve si ankth dhe makth, frika për një përsëritje, në forma dhe trajta të tjera, jo vetëm që i ka stepur, por, ndofta, është një ndër arsyet që përballë pasigurisë dhe kaosit, së panjohurës dhe së pashkelurës, ata kanë zgjedhur heshtjen dhe mosbëzatjen.

Kjo pasiguri dhe ky kaos shtohet edhe më shumë kur, ndonëse ditët afrohen drejt datës 30 qershor, palët politike në vend janë të vendosura më shumë se kurrë, gjithsekush në skalionin e vet, shumëlarg njëra-tjetrës, në qëndrime thellësisht të ngurta, shumë më larg gjetjes së gjuhës së dialogut dhe zgjidhjes së krizës.

Dhe zgjidhjen e krizës, në raste të ngjashme, zakonisht, e ofron qeveria, duke u dorëhequr, dhe duke i hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

Por ky nuk është rasti shqiptar, ku qeveria është mbytur në detin e zullumeve, ndërsa hapjen rrugë dhe uljen për dialog në këto kushte, e sheh si kapitullim, si lënie pushteti në tavolinë, edhe pse në kushte të tjera për të nuk do të ishte kështu.

Nga ana tjetër, opozita e ka militarizuar maksimalisht aksionin e saj, duke e reduktuar misionin e saj opozitar vetëm në moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale të datës 30 qershor, ndërkohë që kjo situatë e nuk e favorizon atë për t’u parë si alternativë nga elektorati gri dhe i lëvizshëm. Njerëzit zakonisht duan alternativë dhe shpresë dhe jo zjarr e tym.

Në këtë kuptim, edhe ngritja nga ana e saj e “Aleancave qytetare”, pavarësisht se janë ideuar për të qenë një mundësi ndryshe ndaj narrativës së flakës dhe tymit, janë të destinuara të dështojnë. Të paktën, për sa kohë që vijohet kështu si janë nisur.

Në të gjithë këtë situatë, palët duken se janë më larg se kurrë nga njëra-tjetra, kurse ata që janë në mes janë qytetarët shqiptarë, të cilët, nga njëra anë, janë thellësisht të pakënaqur me qeverinë, ndërsa, nga ana tjetër, ende nuk e shohin opozitën si alternativë dhe shpresë.

Që të jesh i pakënaqur me qeverinë është krejtësisht normale, aq më shumë me një qeveri si kjo e jona të kredhur me zullume deri në fyt, mirëpo, në gjithë këtë situatë, të mos shohësh shpresë tek opozita kjo është fatkeqësi edhe më e madhe.

Ndaj opozita duhet ta shohë vetveten në sy, të mos e reduktojë të gjithë narrativën dhe aksionin e saj vetëm tek një datë, por, mbi të gjitha, t’i japë përgjigje pikërisht kësaj pyetjeje: pavarësisht të gjithave, përse i gjithë ky det zullumesh dhe pakënaqësie nuk përkthehet në mbështetje popullore për të?

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0073628425598145
array(1) { ["section"]=> string(92) "opozita-duhet-ta-shohe-vetveten-ne-sy-eshte-koha-qe-t-i-jape-pergjigje-kesaj-pyetjeje-169036" }