Grida Duma, me cilësinë e koordinatores së mediave në Partinë Demokratike, ka fituar gjyqin me Erion Veliajn dhe vëllanë e tij pasi Shoqëria "EAG Communication" kishte paditur Grida Dumën për cënim të imazhit.
Kompania “EAG Communication” kërkonte nga Grida Duma që të përgënjeshtronte deklaratat si dhe të dëmshpërblehej me 100 mijë euro.
Sipas Grida Dumës kompania e vëllait të ministrit kishte ndryshuar emër nga “Gogel” ne “EAG Communication” dhe përmes kësaj, kishte përfituar miliona nga agjencitë shtetërore.
Koordinatorja e marrëdhënieve me publikun në Partine Demokratike ka akuzuar se kjo kompani është përfituese të rreth 390 milion lekë për dekorimin e qytetit me rastin e vizitës së Papa Franceskut. Selia blu nëpërmjet daljeve të saj për median pati akuzuar drejtpërdrejtë si përfitues të këtij fondi, Ministrin e Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj.
Grida Duma pretendonte gjithashtu se kompania “Gogel” ka marrë 900 mijë lekë të reja, si kompani e kontraktuar nga agjencitë shtetërore për evente dhe marketing dhe kompania e dytë "EAG", po sipas Dumës, kishte përfituar 52 milionë lekë të reja nga kontratat me agjencitë shtetërore.
Dy ditë më parë, gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës, vendosi rrëzimin e padisë. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen paditësit. Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 15 ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e shpalljes së vendimit, për palën në mungesë ky afat fillon nga komunikimi i vendimit.