Raporti gjeologjik për pallatin në Gjirokastër që rrezikon të shembet për shkak të rrëshqitjes së tokës, hedh më shumë dritë mbi situatën e rëndë dhe kërkon që banorët të largohen menjëherë për të mos rrezikuar jetën.
Në raport theksohet se ka nevojë të saktësohen kufijtë e fenomenit të rrëshqitjes, thellësia e planit dhe trashësia e trupit. Ekspertët rekomandojnë ndërtimin e mureve mbrojtëse dhe pyllëzimin e zonës.
Më tej në raport thuhet se në kodrën ku ndodhet pallati nuk duhen lejuar ndërtime apo ndërhyrje artificiale.
Në pallat banojnë 20 familje që aktualisht janë evakuuar dhe kanë mundur të strehohen në hotele apo te të afërmit e tyre pasi refuzuan strehimin e ofruar nga Bashkia e Gjirokastrës.